Vrasja e gazetarit, një shekull burg për ish-oficerët e sigurimit serb

Një gjykatë e Beogradit dënoi katër ish-oficerë të sigurimit të shtetit serb për vrasjen e gazetarit Slavko Çuruvija, një kritik i ashpër i regjimit të Sllobodan Millosheviqit, duke i dënuar ata me një total prej 100 vjet burg.

Gjykata e Lartë e Beogradit të premten dënoi katër ish-punonjës të sigurimit serb të shtetit për vrasjen në vitin 1999 të gazetarit dhe redaktorit Slavko Çuruvija, i cili ishte i njohur për kundërshtimin e tij ndaj regjimit të Sllobodan Millosheviqit.

Ish-kreu i Sigurimit Shtetëror të Serbisë Radomir Markoviq dhe oficeri i sigurimit të shtetit Milan Radonjiq u dënuan me nga 30 vjet burg, ndërsa agjentët e shërbimit sekret Ratko Romiq dhe Miroslav Kurak u dënuan secili me nga 20 vjet burg.

Vendimi tha se Markoviq i tregoi Milan Radonjiqit planin e vrasjes së gazetarit kritik dhe Radonjiq bëri një marrëveshje me Romiqin dhe Kurakun për të ekzekutuar Çuruvijën.

Vendimi i shkallës së parë të gjykatës mund të apelohet.

Gjyqi për vrasjen e Çuruvijës u hap në vitin 2015, 16 vjet pasi ai u qëllua për vdekje. Dyshohet se ai u vra për shkak të qëndrimit të tij opozitar ndaj presidentit jugosllav Sllobodan Millosheviq.

Sipas aktakuzës, një ”person i panjohur” urdhëroi vrasjen dhe Radomir Markoviq, ish-kreu i sigurimit të shtetit në Serbi, urdhëroi vrasjen ndërsa tri ish-agjentë të tjerë sigurimi – Ratko Romiq, Milan Radonjiq dhe Miroslav Kurak – morën pjesë në organizimin dhe ekzekutimin e vrasjes.

Dyshohet se Kurak ishte autori i drejtpërdrejtë i krimit, ndërsa Romiq ishte bashkëpunëtori i tij.

Të tre të dyshuarit e kanë deklaruar veten të pafajshëm, ndërsa Kurak është në arrati dhe po gjykohet në mungesë.

Markoviq aktualisht po kryen dënimin me 40 vjet burg për vrasjen e ish-presidentit serb Ivan Stamboliq dhe krime të tjera, ndërsa Romiq dhe Radonjiq në shtator të vitit të kaluar u liruan nga akuza për tentativë për vrasje të liderit të partisë opozitare Vuk Drashkoviq në vitin 2000.

Çuruvija u qëllua 17 herë pas shpine para ndërtesës ku jetonte në Beograd.

Para se të vritej, ai kishte kritikuar hapur Millosheviqin, duke e akuzuar atë haptazi për krime lufte dhe për drejtimin e një regjimi shtypës.

Disa ish-zyrtarë të lartë të sigurimit të shtetit dëshmuan në gjyq. Pavarësisht nga dëshmitë e tyre të ndryshme, shumica u pajtuan që Çuruvija u vra disa minuta pasi një ekip mbikëqyrje u urdhërua të mos e ndiqte më atë.

Ata thanë se Çuruvija u ndoq nga Sigurimi i Shtetit gjatë gjithë vitit 1999 pasi ai shihej si një armik i qeverisë së Millosheviqit.

Gjyqi u shoqërua me polemika gjatë viteve. Në vitin 2017, gjykata liroi nga paraburgimi dy nga të pandehurit, Romiç dhe Radonjiç, dhe i la ata në arrest shtëpie.

Gjyqtarët u përpoqën në dy raste të hidhnin poshtë prova të rëndësishme –tabulatet e komunikimeve telefonike midis operatorëve të shërbimeve sekrete – të cilat sipas prokurorisë i vendosnin ata në vendin e ngjarjes. Megjithatë, vendimi u rrëzua të dyja herët në apel.

Gjykata gjithashtu refuzoi të dëgjonte dëshminë e inspektorit Dragan Kecman, i cili mblodhi të dhënat e komunikimeve dhe hodhi poshtë deklaratën që dha Kecman gjatë hetimit.

Megjithatë, vendimi për të mos e lejuar Kecmanin të dëshmonte më pas u hodh poshtë dhe inspektori i policisë doli para gjykatës në nëntor 2018.

Kecman dëshmoi se ai arriti në përfundimin se Çuruvija ishte vrarë nga katër të pandehurit, duke shtuar se regjimi e konsideronte gazetarin si “armikun numër një të shtetit”.