Vrasja e Egzon Mazrekut, pas 3 vitesh arrestohet edhe i dyshuari i tretë

Një ditë pas arrestimit nga Policia e Kosovës nën dyshimin për veprën penale të vrasjes së rëndë në ndihmë, e kryer në janar të vitit 2016 në fshatin Sopi të Suharekës, F.L. nga Krajishta e Lipjanit, ka dalë para Gjykatës së Prizrenit për të mësuar vendimin për masën e sigurisë.

Policia ka njoftuar se të dyshuarin F.L. e ka arrestuar pas një pune operative hetimore dhe se i njëjti pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

Ndaj tij, prokurori i Prokurorisë së Prizrenit, Mehdi Sefa, ka paraqitur kërkesë për caktim të paraburgimit.

E Gjykata ka marrë aktvendim për caktim të paraburgimit po të njëjtën ditë.

Rasti për të cilin dyshohet F.L. ka ndodhur natën e 27 janarit 2016 në fshatin Sopi të Suharekës.

https://kallxo.com/vritet-nje-25-vjecar-ne-suhareke/

Atë natë me armë zjarri në oborrin e shtëpisë së tij ishte vrarë i riu Egzon Mazreku, kurse ishte plagosur babai i tij.

Në kërkesën e saj për paraburgim për të dyshuarin, Prokuroria pretendon se i pandehuri F.L. kishte ndihmuar me dhënie të udhëzimeve dhe mënjanimin e pengesave në kryerjen e veprës penale personin Xhevat Hysenaj, i cili me dashje privon nga jeta Egzon Mazrekun dhe e vë në rrezik jetën e babait të tij, me qëllim të fitimit të dobisë pasurore.

https://kallxo.com/arrestim-dhe-bastisje-per-vrasjen-e-egzon-mazrekut/

Sipas Prokurorisë, F.L., Naser Makolli dhe Xhevat Hysenaj ishin takuar në një kafeteri në Fushë-Kosovë në kafeterin “Lero”, ku F.L. kishte thënë se hallën e ka në fshatin Mushtisht dhe se e njeh atë rajon dhe propozon që aty të shkojnë për të vjedhur.

Kështu ata nisen me veturën që e kishin marrë në ‘renta car’ “Roberti” në Prishtinë.

Sipas Prokurorisë, të pandehurit rrugës ndalen në fshatin Sopi, në shtëpinë e N. Mazrekut me qëllim për të vjedhur, me ç’rast Naser Makolli pret në automjet duke bërë roje ndërsa i pandehuri F.L. e hap derën e vogël dhe i pari hyn në oborrin e kësaj shtëpie dhe pas tij hyn edhe tashmë i dënuari Xhevat Hysenaj dhe shkojnë në katin e dytë të shtëpisë, dhe meqë dera ka qenë e mbyllur me çelës janë munduar që ta hapin derën e dhomës me kaçavidë dhe pasi i pandehuri me iniciale F.L. del në terasë të shtëpisë hetohet nga pronari i saj.

Pas kësaj, i pandehuri F.L. kërcen nga terasa e dhomës duke rënë mbi kulmin e garazhit dhe ikë, ndërsa Xhevat Hysenaj tani i dënuar, e nxjerr pistoletën dhe nga një afërsi shtie dhe plagos në të dy këmbët pronarin e shtëpisë me iniciale Naser Makolli, duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore, ndërsa me një predhë qëllon në pjesën e gjoksit në anën e majtë tani të ndjerin Egzon Mazreku, i cili nga plagët që janë shkaktuar nga arma e zjarrit vdes dhe dërgohet pa shenja jete në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Suharekë.

Po ashtu, Prokuroria pretendon se pas veprës së kryer Xhevat Hysenaj me automjetin i cili drejtohet nga Naser Makolli arratisen në drejtim të fshatit Magurë të Lipjanit.

Sipas vendimit të Gjykatës, F.L. do të mbetet nën masën e paraburgimit deri më 19 prill.