Vrasja e Egzon Mazrekut, Arrestohet Një i Dyshuar

 

Policia e Kosovës ka arrestuar dje një person nën dyshimin se është pjesëmarrës në vrasjen e Egzon Mazrekut në Sopi të Suharekës, më 27 janar 2016.

Sipas zëdhënësit të Policisë për rajonin e Prizrenit, Hazir Berisha, i dyshuari është intervistuar në prani të avokatit.

“Dje është arrestuar një person në lidhje me vrasjen e Egzon Mazrekut. Po ashtu, Policia ka bastisur tri lokacione të ndryshme, ku janë gjetur prova materiale që lidhen me vrasjen e kryer në Sopi. Policia po kërkon edhe dy persona të tjerë, të cilët në ditën kritike kanë qenë së bashku me personin e arrestuar” tha zëdhënësi i Policisë, Hazir Berisha.

Sipas zëdhënësit, i arrestuari është nga rajoni i Prishtinës. Në deklaratën e dhënë në Polici, i njëjti e ka përshkruar vendin e ngjarjes dhe mënyrën se si është tentuar të kryhet vjedhja në shtëpinë e viktimës.

Berisha tha më tej se i arrestuari është i njohur për Policinë, pasi edhe më herët ka kryer vjedhje në qytetin e Suharekës. Edhe në ditën tragjike qëllimi i tij ishte vjedhja në shtëpinë e Egzon Mazrekut.

Më 27 janar, rreth orës 20:30, familja e Egzon Mazrekut ishte tronditur kur në momentin që ishin duke ngrënë darkë, një person ishte futur në shtëpinë e tyre dhe pas një kacafytjeje në mes sulmuesve dhe Egzonit, ky i fundit kishte mbetur i vdekur nga goditja që kishte marrë me armë zjarri, ndërsa prindi i tij ishte plagosur.

Për këtë ngjarje tragjike, KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi.

http://kallxo.com/misteri-i-vrasjes-se-mazrekajt/