Vrasja e dyfishtë në Gjakovë, Inspektorati rekomandon suspendimin e tre policëve

Inspektorati Policor i Kosovës ka njoftuar se më 8 gusht, sipas detyrës zyrtare, ka filluar hetimin preliminar në Drejtorinë Rajonale të Policisë në Gjakovë lidhur me dyshimet për neglizhencë dhe moskryerje të detyrave nga zyrtarët policorë në lidhje me rastin “Vrasje e rëndë” që ka ndodhur në fshatin Brekoc të Gjakovës.

Hetuesit e IPK-së në vazhdimësi kanë ndërmarrë veprime të ndryshme hetimore në konsultim me prokurorin kompetent për të vlerësuar reagimet policore dhe rrethanat e rastit.

“Pas mbledhjes së informacioneve nga IPK-ja dhe në konsultim me Prokurorinë Themelore të Gjakovës, Inspektorati Policor ka hapur rast penal lidhur me këtë çështje me dyshimin për kryerjen e veprës penale “Keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar””, thuhet në njoftimin e IPK-së.

Në përputhje me ligjin e IPK-së si pjesë e procedurës hetimore Inspektorati Policor i ka rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin e tre zyrtarëve policorë të Stacionit Policor të Gjakovës deri në përfundim të këtij hetimi penal.

IPK-ja në konsultim me Prokurorinë Themelore në Gjakovë do t’i vazhdojë hetimet dhe analizimin e çdo veprimi apo mosveprimi të zyrtarëve policorë nga DRP-Gjakovë deri në zbardhjen e plotë të kësaj ngjarje.

Pasditen e 7 gushtit, në Brekoc të Gjakovës u vranë me armë zjarri Valbona Nrecaj dhe vajza e saj 9-vjeçare.

I dyshuari kryesor për këtë rast është bashkëshorti i të ndjerës, Pjetër Nrecaj.

https://kallxo.com/cka-deklaroi-para-policise-pjeter-nrecaj-per-vrasjen-e-bashkeshortes-dhe-vajzes/

Kur doli para Gjykatës, tre ditë pas rastit tragjik, Pjetër Nrecaj tha se i vjen keq për rastin.

https://kallxo.com/vrasja-ne-gjakove-ky-ishte-burimi-i-konfliktit-te-qiftit-nrecaj/

Sot, Gjykata e Gjakovës ia vazhdoi masën e paraburgimit edhe për dy muaj të dyshuarit Pjetër Nrecaj.