Gjykimi për vrasjen me pagesë - 22.03.2019

Vrasja e cila dyshohet se u pagua nga mërgimtari, mbyllet seanca për publikun

Përjashtohet publiku para dhënies së dëshmisë së vajzës së xhaxhait të Bekim Rajës, i akuzuar për vrasjen e Ferdinand Gjinit.

Në gjykimin për vrasjen e Ferdinand Gjinit që dyshohet se u pagua nga mërgimtari nga Zvicra, u përjashtua publiku.

Kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Sami Sharraxhiu bashkë me anëtarët Lumturije Muhaxhiri dhe Florije Zatriqi, me rastin e dëgjimit të dëshmitareve D. K., e cila është vajza e xhaxhait të të akuzuarit Bekim Rajës dhe dëshmitares S. K., vendosën që ta përjashtojnë publikun.

Paraprakisht këtë propozim për përjashtim të publikut e kërkoi prokurorja Valbona Dishaj- Haxhosaj, me arsyetimin se gjatë dëshmisë së dy dëshmitareve do të përmendet dëshmitari bashkëpunues.

Ndërsa, mbrojtësi i të akuzuarit Bekim Raja avokati Arianit Koci, paralajmëroi gjykatën që do të bëjë incizimin e seancës, mirëpo trupi gjykues këtë gjë ia lejoi vetëm në prezencën e gjithë publikut.

“E kundërshtoj dëgjimin e dëshmitares D. K. ndërsa nuk e kundërshtoj që të përjashtohet publiku në dëgjimin e dëshmitares S. K., sepse mund të preken tema të ndjeshme, por theksoj se nëse dëgjohet dëshmitarja D. K. nuk ka pse të përjashtohet publiku, sepse shkelet parimi i publicitetit”, tha avokati Arianit Koci.

Për këtë propozim mbrojtësja e të akuzuarit Avni Sinanaj avokatja Kosovare Kelmendi, tha se: “Ne si mbrojtje nuk kemi qenë në dijeni që këto palë do të procedohen sot, por gjithsesi nuk e kundërshtoj procedimin e tyre”.

Ndërsa mbrojtësi i të akuzuarit Murat Sinanaj, avokati Gzim Kollqaku tha se këto dy dëshmitare nuk kanë të bëjnë fare me këtë çështje.

Ndërkaq prokurorja Valbona Dishaj- Haxhosaj replikoi duke thënë që avokatët gjatë propozimit të dëshmitarëve kanë pasur mundësi t`i kundërshtojnë propozimet.

Para se të përjashtohet publiku u dëgjua dëshmitari S. D., zyrtar policor.

 

Ai tregoj se kishte qenë duke pirë kafe me kolegun e tij A. H., kur ishte njoftuar për vrasjen e Ferdinand Gjinit.

“Menjëherë kur kam dëgjuar kemi shkuar për sigurim të vendit të ngjarjes dhe kam lajmëruar eprorët e mi”, tha polici S. D.

“Kur kam marrë informacionin për një vrasje për dhjetë minuta kam mbërri në vendin e ngjarjes”, tha ai.

Meqenëse ky dëshmitar është i propozuar nga avokatja e të akuzuarit Avni Sinanaj, Kosovare Kelmendi kërkoi nga dëshmitari që të kthehet nga publiku dhe të bëjë identifikimin e Avni Sinanajt, duke e pyetur nëse e ka parë atë ditë në të njëjtën kafe?

Në përgjigjen tij ai tha se: “Nuk i kujtohej nëse e ka parë ose jo në kafe Avni Sinanajn”.

Ndërsa i akuzuari Avni Sinanaj theksoi se kishte qenë në atë lokal duke pirë kafe dhe e kishte parë zyrtarin policor S. D.

Pas këtij ballafaqimi i dëmtuari P. Gj., tha para trupit gjykues se lokali ku ka pirë kafe dëshmitari S. D. është lokali i familjarëve të Avni Sinanajt dhe se të akuzuarit Avni Sinanaj i kishin treguar për ngjarjen e ndodhur.

https://kallxo.com/rrefimet-e-deshmitareve-per-vrasjen-qe-dyshohet-qe-e-pagoi-mergimtari-nga-zvicra/

Procesi gjyqësor në rastin e vrasjes, për të cilën pretendohet se në Zvicër u paguan paratë, ka vazhduar me paraqitjen e dy dëshmitareve pa prezencën e publikut.

Në gjykimin ndaj Bekim Rajës, Avni e Murat Sinanaj dhe Gjon Pnishit në Gjykatën e Pejës, për vrasjen e Ferdinand Gjinit seancën e udhëhoqi trupi gjykues i përbërë nga Sami Sharraxhiu, Lumturije Muhaxhiri dhe Florije Zatriqi.

https://kallxo.com/deshmitari-rrefen-per-vrasjet-me-pagese-ne-gjakove/

 

https://kallxo.com/peje-i-akuzuari-per-vrasje-levizet-me-antiplumb/

Shpjegimi i Prokurorisë

Çështja e vrasjes së Ferdinand Gjinit është përshkruar në aktakuzën e Prokurorisë.

E njëjta  pretendon se i ndjeri u vra me porosinë e Bekim Rajës i cili e kishte porositur Avni dhe Murat Sinanajn të kryejnë vrasjen e viktimës Ferdinand Gjini, duke iu ofruar shpërblimin në shumën prej 100 mijë frangave zvicerane.

Më shumë se katër vite hetime i janë dashur Prokurorisë së Pejës për të ngritur tezën e vrasjes me pagesë të Ferdinand Gjinit.

Banori i Gjakovës ishte vrarë mëngjesin e 23 qershorit 2014 në urën që lidhë fshatin Llukë dhe Prapaqan të Deçanit.

https://kallxo.com/zbulohet-identiteti-i-te-vrarit-ne-decan/

Hetimet e para të Prokurorisë përgjegjës për këtë vrasje e identifikuan Gjon Pnishin. Ai ishte arrestuar  ndërsa disa muaj me vonë ndaj tij filloi procesi gjyqësor në Gjykatën e Pejës.

Nën akuzën për vrasjen e Gjinit, Pnishi ishte shpallur fajtor dhe dënuar me 18 vite burgim.

Por vrasja e cila tronditi zonën nuk kishte marrë verdiktin final, pasi Gjykata e Apelit kishte kthyer në rigjykim çështjen ndërsa në rrugën hetimore prokurorja e rastit Valbona Haxhosaj kishte ngritur dyshime të reja.

Prokurorja Haxhosaj pretendonte se kishte zbuluar se vrasja ishte kryer me pagesë duke pretenduar se dihet edhe shuma e parave.

Bekim Raja sipas aktakuzës e kishte porositur Gjon Pnishin që së bashku me dy persona të tjerë Avni dhe Murat Sinanajn ta ekzekutonin Ferdinand Gjinin. Për ta realizuar këtë qëllim sipas aktakuzë Bekim Raja i kishte ofruar Gjon Pnishit shumën prej 100 mijë frangave.

Për ta realizuar qëllimin tre të pandehurit Gjon Pnishi, Avni Sinanaj dhe Murat Sinanaj e kishin ndërtuar planin e vrasjes.

Të pandehurit kishin kontaktuar me viktimën me qëllim të shkëmbimit të një substance narkotike dhe siç përshkruhet në aktakuzë viktima gjatë tërë kohës ishte ndjekur nga i akuzuari Gjon Pnishi.

“Kur viktima kishte arritur në vendin e krimit Gjon Pnishi i kishte bllokuar rrugën ndërsa i pandehuri Murat Sinanaj kishte qëlluar mbi të me automatik”, thuhet në aktakuzë.

 

https://kallxo.com/arrestimi-4-te-dyshuarve-shtyn-gjykimin-per-vrasjen-e-ferdinand-gjinit/

 

.