Vrasësja nga Bosnja, karakter në romanin e Bill Clinton

Romani i parë i ish Presidentit të SHBA-së Bill Klinton, i shkruar bashkë me autorin e zhanrit ‘’thriller’’ Xhejms Peterson përmban si personazh kryesor një vrasëse nga Bosnja dhe Hercegovina, vegjetariane dhe që dashuron muzikën klasike.

Romani me me titull ‘’Presidenti mungon’’, paraqet një grua tërheqëse, shtatzënë dhe vegjetariane nga Bosnja dhe Hercegovina, e cila është gjithashtu një vrasëse.

Gruaja boshnjake dashuron muzikën klasike, vrasëse gjakftohtë e njohur vetëm nga emri i koduar Bah, pasi parapëlqen të dëgjojë kompozimet e Johan Sebastian gjatë ‘’punës së saj’’.

Gazeta britanike Independent e përshkroi Bah-un si “boshnjake gjysmë Myslimane”, e cila sorollatet me çizmet e saja prej lëkure ngjyrë çokollatë të gjata deri në gju dhe që e sheh armën e saj shumë të preferuar si ‘’një bukuri, një pushkë gjysmë automatike në ngjyrë të zezë pa shkëlqim, që mund të qëllojë pesë raunde në më pak se dy sekonda’’.

Por recensioni në gazetë e tall personazhin e krijuar nga Bill Klinton dhe shkrimtari i thriller-it Peterson.

‘’Ky personazh, vrasës qesharak është pjellë e fantazisë më absurde e thriller-it që ish presidenti dhe shkrimtari i suksesshëm kanë marrë përsipër të shtypin’’, thotë recensioni.

Historia vijon me një diplomat të SHBA-së i cili rikthehet në Bosnjë 20 vite pas luftës dhe masakrës së Srebrenicës që i mori jetën një miku të tij dhe kolegu.

Gazeta ditore amerikane Newsday thotë që Bah ‘’përndiqet nga tmerri që ajo bashkë me familjen përjetoi në duart e serbëve boshnjakë’’.

Një tjetër personazh i librit është një lider serb boshnjak i cili ‘’kërcënon se do e sakatojë Bosnjën në një konflikt të përgjakshëm për pushtet’’.

Revista Time raporton se vështirë të mos shquhen paralele mes presidentit të trilluar të SHBA-së në libër, Xhonatan Linkoln Dankan dhe bashkautori Uilliam Xheferson Klinton – edhe pse ndryshe nga ish presidenti i vërtetë, i trilluari është një hero i shpallur i luftës.

Klinton priti bisedimet e paqes në nëntor të 1995-ës, që arritën në marrëveshjen Dejton për t’i dhënë fund luftës së Bosnjës.

Këshilli Konsultativ për Bosnjë Hercegovinën, një organizatë jofitimprurëse me seli në Uashington, i dha kohët e fundit Klinton-it një Çmimin e Arritjes së Lartë për ‘’udhëheqjen e tij të përkushtuar për t’i dhënë fund gjenocidit dhe spastrimit etnik në Bosnjë Hercegovinë’’.

Klinton nuk është i pari ish President që shkruan një roman; Xhimi Karter botoi një me titull ’Foleja e Bletëve’ në vitin 2003.

Një tjetër diplomat amerikan është marrë me Bosnjë Hercegovinën në një roman.

Methju Palmer, drejtor i departamentit shtetëror për politikat e Evropës qendrore dhe të jugut, botoi një triller me titull ‘Ujku i Sarajevës’ në vitin 2016.