Vrasësit të Djalit të Axhës i Ulet Dënimi për të Dytën Herë

Gjykata e Apelit ka ulur përsëri dënimin për Fidan Makollin, të dënuarin me 15 vjet burg për vrasjen e djalit të axhës së tij, Fadil Makolli.

Pas ankesës së avokatit, Gjykata e Apelit ka vendosur që ta gjykojë Fidan Makollin me burgim në kohëzgjatje prej 13 vjetësh, e jo prej 15 siç kishte vendosur Gjykata Themelore.

Lajmin për KALLXO.com e bëri të ditur vet avokati i Makollit, Besnik Jakupi.

Në mars të këtij viti shkalla e parë e kishte dënuar Makollin me 18 vjet burgim.

Pas ankesës së avokatit të tij, Gjykata e Apelit e ka kthyer rastin në rigjykim, gjykim ky që në fund nxjerri verdiktin me dënim prej 15 vjetësh, tre vjet më pak se në gjykimin e kaluar.

Pas kësaj, avokati përsëri kishte bërë ankesë në Gjykatën e Apelit, me ç‘ rast tani më i ka ulur dënimin nga 15 vjet në 13, dënim ky në të cilin do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim.

Apeli ka aprovuar ankesën e avokatit Besnik Jakupi lidhur me aktgjykimin e shkallës së parë, pasi që ka konstatuar se ky aktgjykim është i përfshirë në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale.

Sipas aktakuzës, i ndjeri Fadil Makolli ka parkuar veturën afër furrës “Sharri”, me ç’ rast i akuzuari Fidan Makolli ka dalur nga shtëpia dhe i ka thënë tani të ndjerit të mos e parkojë veturën në atë vend.

Pas një konflikti verbal në mes të djemve të axhës, i akuzuari Fidan Makolli kishte shtënë në drejtim të Fadil Makollit, i cili vdiq 35 ditë më vonë.

http://kallxo.com/gruaja-pyet-te-akuzuarin-pse-ma-vrave-burrin/