Gjykimi për keqpërdorim të së drejtës së votimit – Foto: KALLXO.com

Votoi dy herë, dënohet me 6 muaj burg me kusht

Pas leximit të aktakuzës nga prokurori Ismet Ujkani, i akuzuari për veprën penale – keqpërdorim i të drejtës së votimit, Shenoll Haliti, e ka pranuar fajësinë.

Nga Gjykata e Mitrovicës, i pandehuri kërkoi që kur të vendosë për lartësinë e dënimit ta marrë si rrethanë lehtësuese pranimin e fajësisë, faktin që është familjar dhe se asnjëherë më parë nuk ka qenë i dënuar për ndonjë vepër penale.

Pranimi i fajësisë u mbështet nga prokurori Ujkani dhe u aprovua nga gjyqtari Avni Mehmeti.

Më pas, Gjykata vendosi rreth këtij rasti.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga gjyqtari i rastit Avni Mehmeti, i pandehuri Shenoll Haliti u shpall fajtor dhe u dënua me 6 muaj burg me kusht.

Ky dënim nuk do të ekzekutohet nëse në periudhën kohore prej një viti nuk kryen asnjë vepër tjetër penale.

Prokuroria Themelore e Mitrovicës akuzon Shenoll Halitin se në nëntor të vitit 2013 në objektin e shkollës së mesme të Mjekësisë në veri të Mitrovicës, në zgjedhjet e atëhershme lokale, ka votuar si votues me kusht edhe pse më parë kishte votuar si votues i rregullt.

Me këtë i njëjti ka kryer veprën penale – keqpërdorim i të drejtës së votimit, thuhet në akuzë.