Vokshi e Quan Humor të Thartë Lajmin për Arrestimin e tij

Besim Vokshi, ish-pjesëtari i UÇK-së për të cilin u raportua rrejshëm se ishte arrestuar, e quajti të thartë këtë lajm.

Vokshi mohoi se u arrestua sot brenda oborrit të  Gjykatës Themelore në Gjakovë, e aq më pak se ishte transferuar në Prishtinë.

Vokshi tha për KALLXO.com se ndodhej te Ura e Fshejtë, ndërsa për lajmin ishte informuar nga shokët.

“[ ‘Lajmin’ e kam marrë  vesh] pi shokëve të mi që kanë ardh me më vizitu ktu te Ura e Fshejtë, më thanë a i ke lexu portalet. Ju thashë as nuk i kamë kqyrë, telefonin e kam pasë të shkyçur, për sherr edhe më tregun. Humor mu dok, humor pak i therbt,” tha Vokshi.

Vokshi deklaroi se sikur lajmi të ishte shkruar për krimet e serbëve të bëra në Gjakovë, ndoshta edhe do të ishte besuar më lehtë.

“Më vjen keq që duhet me u marrë me këso lloj spekulime, me pas tregu për naj serb bile që ka ba krime lufte, sa rastet i kemi vetëm në Gjakovë që kanë ba krime e dhunime apet nashta ish kanë far lajmi, e kishim marrë seriozisht. Veç me u marrë me shqiptarët këtu më vjen më së shumti keq”, deklaroi Vokshi.

Vokshi që po shijonte bukuritë e Lumit Drin pranë lokalit të tij, tha se sot nuk ishte as afër objektit të Gjykatës në Gjakovë.

Ai deklaroi se për të pavërtetat që janë thënë për të do të shqyrtojë mundësinë e padisë.

“Duna me u konsulltu me avokatin tem e duhna me bo diçka, se me ndi kënaqësi shqiptar për shqiptar që bahen arrestimet me gënjy, me gënjeshtra… Besoj që do ta bëjmë [padinë]”, tha Vokshi.

KALLXO.com shkroi sot për lajmin e rremë të arrestimit të Vokshit.

http://kallxo.com/arrestimi-pjesetarit-te-uck-se-ne-gjakove-lajm-rreme/