Vokrri: Më Lehtë në FIFA

Ai bashkë me një delegacion të federatës u takua me ministrin e Kulturës Kujtim Shala, ndërsa e komentoi pranimin e Kosovës në UEFA  në kongresin e organizatës evropiane të futbollit të mbajtur në Budapest dy ditë më parë.

“Pas shumë viteve dhe shumë ëndrrave të shumë gjeneratave mendoj se nga dita e martë u bënë realitet,” tha Vokrri.

Vokrri falënderoi të gjitha strukturat qeverisëse dhe ministritë për mbështetjen që i është dhënë Federatës së Futbollit të Kosovës.

“Falënderoj për përkrahjen që kemi pasur nga strukturat qeverisëse e posaçërisht Ministrinë e Sportit. Vetëm një rast po përmendi, një rast të inspektimit të fushës, shumë janë kritikuar, kanë qenë skeptikë se për shkak të infrastrukturës ndoshta do të kemi dëme kolaterale në këtë proces, mirëpo edhe ai është tejkaluar,” tha Vokrri.

Ai tregoi se stadiumi “Adem Jashari” në Mitrovicë më së shumti u është afruar plotësimit të kërkesave të parashtruara nga UEFA dhe FIFA.

Vokrri tha se suksesi i federatës do të kompletohet me pranimin në FIFA.

“Përkundër vështirësive dhe obligimeve të tjera që i keni pasur ne asnjëherë nuk kemi pasur problem komunikimin, edhe përkundër agjendës së ngjeshur. Ne shpresojmë se do ta përmbyllim në kongresin e FIFA-s në Meksiko që sigurisht do të jetë më i lehtë”, tha Vokrri.

Pjesë e delegacionit të FFK-së në takim me ministrin Shala ishte edhe nënkryetari i Federatës së Futbollit të Gjermanisë, Rainer Milkoreit që tha se do të vazhdojë t’i ndihmojë futbollit kosovar.

“Jam i bindur dhe i përkushtuar që angazhimi im që është bërë deri më tash të vazhdohet edhe me tutje në të gjitha sferat si nënkryetar i federatës gjermane dhe me kryetarin e ri që është zgjedh, kemi biseduar që të lidhim marrëveshje bashkëpunimi me Federatën e Futbollit të Kosovës,” tha Milkoreit.

Ministri Shala siguroi Vokrrin dhe delegacionin e federatës se do ta kenë përkrahjen e ministrisë.