Vlora Çitaku në OKB: Pajtimi nuk arrihet me narrativa të rrejshme

Ambasadorja e Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Vlora Çitaku, duke folur në seancën për Kosovën në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, tha se Beogradi po i pengon serbët e Kosovës që të integrohen në institucionet e Kosovës.

Duke folur në një kohë kur Kosova është në periudhën e përkujtimit të përvjetorëve nga lufta e fundit në Kosovë, Çitaku u shpreh se “pajtimi nuk mund të ndërtohet me narrativa të rrejshme”.

“Kemi kaluar nëpër shumë periudha, duke filluar nga periudha e gjatë e shtypjes dhe shkeljes sistematike të të drejrtave të njeriut që kanë kulmuar me spastrim etnik. Përkundër kësëaj, ia kemi arritur t’i rindërtojmë jetët tona nga zero. Njerëzit janë të bashkuar në kujtimin e sakrificës së të rënëve”, tha ambasadorja Vlora Çitaku.

“Afërsisht 30 mijë të rinj do të diplomojnë në shkollat e mesme. Këta janë gjenerata e parë që kanë lindur pas luftës, janë të rinj që kanë lindur të lirë dhe nuk dinë çka është frika. Kanë lindur të lirë dhe do të jetojnë të lirë”, tha Çitaku.

“Pajtimi nuk mund të ndërtohet me narrativa të rrejshme. Saherë që vij këtu, e ndjej veten të detyruar t’ua përkujtoj të gjithëve se çka ka ndodhur në zemër të Europës: qindra mijëra të vrarë e të masakruar… të gjitha këto janë bërë nga makineria shtetërore serbe”, tha ajo duke iu referuar deklaratave paraprake të bëra nga përfaqësuesi serb, ministri i jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq.

“Është shumë shqetësuese të dëgjojmë histori revizioniste nga fqinji ynë verior. Koha ka ardhur që kjo të përfundojë”, tha ajo.

Çitaku e kritikoi edhe raportin më të ri të OKB-së rreth dhunës seksuale, në të cilin, sipas saj, Kosova nuk është përfshirë fare.

“Kosova nuk është përfshirë në raportoin e OKB-së për dhunën seksuale gjatë luftës. Përkundër ekzistencës së dhunës seksuale, kryesit e këtyre krimeve asnjëherë nuk kanë dalë para drejtësisë”, tha Çitaku.

Ajo denoncoi presionin që politika në Serbi po i bën pjesëtarëve serbë të FSK-së ndërsa tha se “Serbia nuk ka veto” në çështjen e transformimit të FSK-së.