‘Vlojnë’ Problemet e Qumështarëve të Kosovës

Sektori i qumështit përballet me probleme të mëdha përderisa prodhimi në vitin 2014 ka arritur pikën më të ulët që nga viti 2007, ndërsa importi pikën më të lartë, u tha sot në prezantimin e raportit “Analiza për Industrinë e Qumështit”, nga Instituti GAP.

Blend Hyseni nga Instituti GAP tha se përkundër faktit që Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural që nga viti 2010 ndan miliona euro në zhvillimin e sektorit të qumështit, gjendja e këtij sektori çdo vit përkeqësohet.

“Të dhënat zyrtare të MBPZhR-së tregojnë se prodhimi vendor shënon pikën më të ulët që nga viti 2007, ndërsa importet e produkteve të qumështit rritën vazhdimisht”, tha ai.

Sipas Hysenit,  këto probleme në sektorin e qumështit burojnë nga mos-koordinimi i politikave në mes të ministrive si MTI dhe MBPZhR-së.

Ndërkaq Isuf Cikaqi nga MBPZhR-ja thotë që Ministria e Bujqësisë i ka kushtuar vëmendje të veçantë sektorit të qumështit dhe është mbështetur pothuajse më shumë se secili sektor tjetër.

“Në programin e vitit 2016 pavarësisht të gjeturave që u prezantuan, do të vazhdohet me politikën pothuajse të njëjtë nga viti i kaluar, me të vetmin dallim, që buxheti është rritur në total”, thotë Cikaqi.

Ai thotë se kërkesat e palëve janë marrë gjithmonë në konsideratë, mirëpo gjithmonë brenda mundësive buxhetore.

Naser Bajraktari nga Shoqata e Prodhuesve të Qumështit thotë se problemin kryesor e kanë me pikat grumbulluese të qumështit të cilat nuk përfshihen në grantet qeveritare.

“Problemi është që disa pika grumbulluese të qumështit kanë mbetur jashtë skemave të granteve, edhe pse ata japin një kontribut shumë të madh në këtë sektor”, thotë Bajraktari.

Ai gjithashtu tha se një problem tjetër është edhe mos njohja e kontratave të disa fermerëve.

“Shumë fermerëve nuk u janë njohur kontratat, dhe kjo i ka dëmtuar ata, mirëpo ne jemi marrë vesh me Ministrinë e Bujqësisë që këto kontrata të njihen”, shtoi ai.

Ndërsa Sytrime Dervisholli nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë tha që sektori i qumështit është trajtuar më së miri nga qeveria për shkak se vazhdimisht është bërë kontrolli i tregut.

“Gjatë hulumtimit që e kemi bërë ne si ministri kemi parë që ka pasur shitje të qumështit dhe produkteve të qumështit me çmim më të ulët se në vendin e origjinës,  mirëpo këto janë eliminuar brenda 6 muajsh”, thotë Dervisholli

Në raportin e GAP-it thuhet se pengesë për zhvillimin e sektorit të qumështit në periudhën afatshkurtër është prezenca e produkteve të dampuara dhe të subvencionuara në treg si dhe manipulimi i konsumatorëve. Ndërsa në periudhën afat-gjatë, janë politikat mbështetëse të cilat nuk adresojnë problemet strukturore të qumështit.