Pamje nga ceremonia në përvjetorin e themelimit të Gjykatës Kushtetuese - Foto: KALLXO.com

Vlerësohet Roli i Kushtetueses në Momentet më Kyçe të Republikës

Gjykata Kushtetuese po vazhdon ta forcojë sistemin kushtetues të vendit dhe ka vendosur për raste të rëndësishme për shtetin dhe shoqërinë, ka thënë drejtuesja e këtij institucioni, Arta Rama-Hajrizi, në një ceremoni në përvjetorin e shtatë të themelimit.

Ndonëse vlerësoi se vendimet e Kushtetueses analizohen, interpretohen dhe keqinterpretohen nga disa individë, shpesh me qëllim, kryetarja e Gjykatës Kushtetuese tha se asnjë vendim nuk është rezultat i presionit, por i analizave të përkushtuara dhe standardeve të larta vendore dhe ndërkombëtare.

Sipas Arta Rama-Hajrizit, që nga themelimi i saj, shtatë vite më parë, Gjykata Kushtetuese ka pranuar 1,260 raste, 90 për qind e të cilave janë trajtuar.

Ndërsa, kreu i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli tha se përmes vendimeve të drejtësisë së saj Gjykata Kushtetuese ka qenë një shtyllë e fuqishme e garantimit të këtyre parimeve themelore.

“Në një klimë shpeshherë të polarizuar, Gjykata ka arritur të ruajë objektivitetin dhe paanësinë në vendimet e saj dhe kjo ka ndikuar pozitivisht në kredibilitetin e sistemit juridik dhe subjekteve politike brenda institucioneve të shtetit”, tha kryekuvendari. Gjykata Kushtetuese sot gëzon respektin e të gjithë qytetarëve,  subjekteve politike dhe jopolitike, pa dallim”, konkludoi Veseli.

Kurse, presidenti Hashim Thaçi tha se Gjykata Kushtetuese është një prej kontribuesve më të mëdhenj të funksionimit të drejtësisë.

“Funksionimi dhe efikasiteti i saj duhet të merret si model nga nivelet e tjera të gjyqësorit. Gjyqtarët e kësaj Gjykate ruajnë reputacionin e kësaj Gjykata dhe kjo nënkupton ruajtjen e dinjitetit të Republikës së Kosovës”, tha presidenti Thaçi.

Duke cituar presidentin amerikan, Benjamin Franklin, i cili kishte thënë se Kushtetuta u jep njerëzve të drejtën që të ndjekin mirëqenien e tyre, ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha theksoi se kjo thënie na sjellë në mendje së pari besimin që qytetarët kanë dhe duhet të kenë në Kushtetutën e tyre, gjegjësisht në interpretuesin e vetëm të saj, në Gjykatën Kushtetuese.

Sipas ministres, Gjykata Kushtetuese ka luajtur rol shumë të rëndësishëm në vendimmarrjet si dhe në momentet më kyçe të Republikës.

“Këtë datë dhe ngjarje të veçantë më shumë duhet ta përjetojmë si një thirrje, si një detyrim moral, politik dhe njerëzor për t’i respektuar dhe mbrojtur premtimet, detyrimet dhe përgjegjësitë që kemi marrë si shtet dhe shoqëri me rastin e hartimit dhe miratimit të Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, theksoi ministrja e Drejtësisë.

Ndërsa, kryeministri Isa Mustafa vlerësoi lartë punën e kësaj Gjykate në konsolidimin e rendit dhe mbrojtjen e lirive të qytetarëve.

“Ka bërë punë të rëndësishme mbrojtjen e shtetit dhe ka ndihmuar forcimin e demokracisë. Ka mbrojtur dhe afirmuar parimin se askush nuk është mbi ligjin. Me punën e saj është përkushtuar t’i përdorë parimet juridike dhe mbrojtja e tyre është e rëndësishme dhe vendimet e Gjykatës i kemi respektuar”, theksoi shefi i Qeverisë, i cili shtoi se duhet të mburremi me punën e kësaj Gjykate dhe ta përkrahim në punën e saj.