Vlerësohen zhvillimet për transparencë në prokurimin publik

 

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ka mbajtur tryezë me titull “Prokurimi Publik në Zhvillim të Vazhdueshëm”.

Në këtë tryezë u tha se shumë risi janë prezantuar në fushën e prokurimit publik në Kosovë, me qëllim të lehtësimit të procedurave të aplikimit, rritjes së transparencës, dhe lehtësimit të qasjes në të dhënat publike.

Arian Zeka, Drejtor Ekzekutiv i Odës Amerikane, tha se bizneset jo rrallëherë kanë shprehur shqetësimet e tyre përkitazi me aktivitetet e prokurimit publik.

“Ato i kanë vlerësuar si pozitive zhvillimet e reja të cilat janë mundësuar falë gatishmërisë së institucioneve përkatëse por edhe mbështetjes konkrete të programeve të Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID)”, tha ai.

Ndërkaq, Stephen Carpenter, Udhëheqës i Ekipit, Aktiviteti i USAID për Komuna Transparente, Efektive dhe Llogaridhënëse në Kosovë, tha se publikimi i plotë i kontratave të tenderëve në sistemet elektronike për opinionin e gjerë rezulton në transparencë më të madhe.

“Zhvillimi i prokurimit elektronik që përfshin të gjitha procedurat nga shpallja e ofertave deri të përzgjedhja e operatorëve ekonomik zvogëlon kontaktin fizik ndërmjet operatorëve dhe autoriteteve kontraktuese. Ai vlerësoi si inkurajues gatishmërinë e komunave për bashkëpunim në këtë drejtim, ndërsa duke folur për transparencën në rritje, ai foli edhe për ndihmën që i është dhënë Organit të Shqyrtimit të Prokurimit, që do të mundësojë transmetimin përmes internetit të seancave dëgjimore të këtij organi”, tha ai.

Kurse, Sami Uka, anëtar i Bordit të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik, tha se ky institucion ka punuar ngushtë me aktivitetin e USAID në mënyrë që të zhvillojë më tej sistemin e prokurimit publik, njëkohësisht duke mundësuar rritjen e normave të transparencës përmes publikimit të të dhënave të procesit të prokurimit.

Ndërsa, Blerim Dina, kryetar i Organit Shqyrtues të Prokurimit, përmendi mes të tjerash zhvillimin e fundit të bërë nga ky institucion i cili mundëson transmetimin e drejtpërdrejt të seancave të prokurimit duke thënë se përmes kësaj synohet rritja e transparencës dhe qasja më e afërt me operatorët ekonomik.