Testi i Maturës | Foto: KALLXO.com
Vlerësimi i Testit të Maturës më 9 Qershor
Azem Guri, kryetar i Komisioni Shtetëror i Maturës tha për KALLXO.com se janë duke e analizuar rrjedhën e testit në të gjitha qendrat e testimit.
“Komisioni Shtetëror i Maturës është duke u marrë me analizën e Provimit të Maturës Shtetërore për të gjitha Qendrat e Testimit dhe për këtë në takimin e planifikuar më 9 qershor do të dalë me raport,” tha Guri.
KALLXO.com për të tretin vit rresht e monitoroi pjesën e parë të Testit të Maturës nëpër qendrat e testimit në shkollat e Kosovës.
Më 4 qershor kur u zhvillua kjo pjesë e testit monitoruesit e KALLXO.com raportuan direkt nga qendrat e testimit.
http://kallxo.com/testi-matures-2016-live/
Këta monitorues vërejtën prani të pjesëtarëve të policisë në Shkollën “Isa Boletini” në Podujevë, “Hivzi Sylejmani” në Fushë-Kosovë, në “28 Nëntori” në Prishtinë dhe në korridoret e gjimnazit “Bedri Pejani” në Pejë, edhe pse këta pjesëtarë nuk ishin ftuar brenda nga drejtorët e shkollave.
http://kallxo.com/prezence-e-policise-ne-ambientet-e-testimit/
Sipas monitoruesve në Shkollën “Naim Frashëri” në Vushtrri dhe “Isa Boletini” në Podujevë, nxënësit nuk janë kontrolluar fare për telefona para se të hyjnë në test. Në disa qendra të testimit ka pasur edhe qasje në internet.
http://kallxo.com/ne-ambientet-ku-mbahet-testi-ka-internet/
Në shkollën “Shaban Hashani” në Ferizaj, materiali i testimit të maturantëve është vonuar. Materiali në këtë shkollë ka arritur në orën 9:58, dy minuta para kohës së caktuar për fillimin e testit. Në këtë shkollë testi ka filluar me 40 minuta vonesë.
Probleme ka pasur edhe me listat e emrave të nxënësve.
Në Shkollën Teknike në Prizren 23 nxënës boshnjakë kanë mbetur pa iu nënshtruar Testit të Maturës për shkak se u kanë munguar emrat në listë, ndërsa në Lipjan 3 nxënës nuk e kanë gjetur emrin në listë.
Gjithashtu disa qendra janë ballafaquar edhe me gabime teknike në disa teste.
Në shkollën “Naim Frashëri” në Vushtrri janë identifikuar disa teste me gabime teknike, edhe dy teste tjera kanë pasur gabime të tilla në Shkollën “Bajram Curri” në Istog.
Është lejuar nëpër qendra komunikim mes nxënësve gjatë zhvillimit të testit.
http://kallxo.com/nxenesit-komunikojne-ne-test/
Në Gjimnazin e Deçanit nxënësve nuk u janë ofruar shishe me ujë, mirëpo disa nga ta kanë marrë ujin me vete. Ndërsa në Mitrovicë, nëpër shkolla organizatorët nuk kanë ofruar shishe me ujë dhe kishte ankesa nga profesorët nëpër klasa.
Në gjimnazin “Gjergj Kastrioti- Skënderbeu” në Drenas drejtori i shkollës është filmuar tek sillet jokëndshëm me një nxënës i cili nuk e ka gjetur emrin e tij në listë.
http://kallxo.com/drejtori-shtyn-nxenesin/
Në disa qendra testi përfundoi në orën 12:30, në disa në orën 13:00.
Ndryshe, këtij testi iu janë nënshtruar mbi 32 mijë maturantë të cilët janë monitoruar nga mbi 3 mijë monitorues në mbi 1 mijë e 800 klasë.