Vjosa Osmani: Shteti serb po trajtohet nga BE si fëmijë i lazdruar dhe i privilegjuar

Ndonëse ishte paraparë që  pas pauzës të votohet për shfuqizimin e Udhëzimi Administrativ i ministrit Pal Lekaj që rrezikon t’ia vazhdojë kontratën për homologimin e automjeteve kompanisë “EuroLab”, deputetët vazhduan debatin për gjendjen në Luginën e Preshevës dhe udhëzimi administrativ nuk u hodh në votim.

Vjosa Osmani –Sadriu, deputete e LDK-së, përmendi një rezolutë të votuar pikërisht nga Kuvendi për çështjen e Luginës, duke shtuar se nuk është realizuar asnjë nga pikat e rezolutës.

“Sot duhet ta pranojmë që përkundër këtij zotimi në vitin 2013 Kosova nuk ka përmbushur asnjë obligim, sot gjendemi në një situatë të ngjashme , sot duhet ta ngrisim zërin tonë për mbrojte të të drejtave të qytetarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvexhës , i cili sa i përket Republikës së Kosovës do të jetë stabilitet në rajon”, tha ajo

Deputetja Osmani nuk kurseu kritikat për sjelljen e  Bashkimin Evropian karshi shtetit serb i cili sipas saj është shkelësi më i madh i të drejtave të njeriut

“Përderisa shteti serb akoma po trajtohet nga BE-ja si fëmijë i lazdruar i Evropës dhe i privilegjuar, poashtu i njëjti shtet mbetet shkelësi më i madh i të drejtave dhe lirive themelore të njeriut”, shtoi ajo.

Sipas saj është mirë që Kuvendi përmes një grupi joformal ta mbajë në tavolinë çështjen e Luginës së Preshevës.

“Mendoj që më e mira është që ne si deputet të krijojmë një grup joformal për Preshevën, Medvexhën dhe Bujanocin në mënyrë që ta marrim përsipër vullnetarisht që këtë temë ta mbajmë në agjendën e Kuvendit dhe qeverisë dhe jo një herë në 6 vite siç po ndodhë tani”, theksoi ajo.