Vjosa Osmani - Foto: Atdhe Mulla

Vjosa Osmani i përgjigjet ashpër Lutfi Hazirit

Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e LDK-së, Vjosa Osmani, i është kundërpërgjigjur ashpër bashkëpartiakut të saj, kryetarit të Gjilanit Lutfi Haziri.

Duke aluduar në përkrahjen që Lutfi Haziri po i jep idesë së bashkimit të Luginës së Preshevës me Kosovën si pjesë e idesë së presidentit Thaçi për “korrigjim kufijsh” me Serbinë, Vjosa Osmani ka thënë: “Atyre që i bëjnë argat idesë së ndarjes do u thosha marre ju koftë, por kurrë në jetën e tyre s’kanë pasur as marre e as fytyrë”.

Lidhur me deklaratën e saj se është kundër idesë së “korrigjimit të kufijve”, deputetja Osmani ka thënë se askush s’ka çka çuditet nga qëndrimet e saj, sepse, sipas saj, ato janë qëndrime të LDK-së, të mbrojtjes së integritetit territorial, kushtetutës e deklaratës së pavarësisë dhe paqes dhe sigurisë në rajon, e të vulosura në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.

“Këto qendrime nuk janë vetëm të miat, Armend Zemajt e Haxhi Avdylit, por janë të Kryesisë së LDK-së, degëve të LDK-së dhe gjithë Grupit Parlamentar të LDK-së. Por mbi të gjitha janë qëndrime që mbrojnë shqiptarët e Luginës nga gënjeshtrat e mashtrimet tuaja e të Hashimit. Qytetarët e Preshevës, Medvegjës e Bujanocit nuk përbijnë më dot kurthe që ju dhe Thaçi ua servoni e nuk lejojnë që dinjiteti i tyre të përdoret për perfitime tuajat elektorale”, ka shkruar Vjosa Osmani në profilin e saj në “Facebook”.

https://kallxo.com/mesazhi-i-lufti-hazirit-per-vjosa-osmanin/

Ky është komenti i plotë i deputetes Vjosa Osmani pas reagimit të kryetarit të Gjilanit:

“Para se të jem nuse e Preshevës, unë jam bijë e Mitrovicës.

Atyre që i bëjnë argat idesë së ndarjes do u thosha marre ju koftë, por kurrë në jetën e tyre s’kanë pasur as marre e as fytyrë.

Askush s’ka çka çuditet nga qëndrimet e mia, sepse ato janë qëndrime të LDK-së, të mbrojtjes së integritetit territorial, kushtetutës e deklaratës së pavarësisë dhe paqes dhe sigurisë në rajon, e të vulosura në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. Këto qendrime nuk janë vetëm të miat, Armend Zemajt e Haxhi Avdylit, por janë të Kryesisë së LDK-së, degëve të LDK-së dhe gjithë Grupit Parlamentar të LDK-së. Por mbi të gjitha janë qëndrime që mbrojnë shqiptarët e Luginës nga gënjeshtrat e mashtrimet tuaja e të Hashimit. Qytetarët e Preshevës, Medvegjës e Bujanocit nuk përbijnë më dot kurthe që ju dhe Thaçi ua servoni e nuk lejojnë që dinjiteti i tyre të përdoret për perfitime tuajat elektorale.

Për fund, ju përshëndes me këto fjalë të heroit Isa Boletini nga viti 1901.”