Foto: zeri.com
Vjosa Osmani, AAK-së: Ne Punojmë me Dokumente
LDK dhe AAK kanë vazhduar edhe sot në mëngjes debatin e nisur mbrëmë rreth dyshimeve për ndryshimin e përmbajtjes së Projektligjit për Demarkacionin e Kufirit me Malin e Zi.
AAK mbrëmë e akuzoi shefin e Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, dhe kryetaren e Komisionit parlamentar për Punë të Jashtme, Vjosa Osmani (LDK), se e kanë ndryshuar përmbajtjen e këtij dokumenti në krahasim me marrëveshjen e arritur.
Sipas AAK-së, renditja e pikave në projektligj nuk kanë dalë ashtu siç përfaqësuesit e partive politike ishin marrë vesh gjatë vikendit.
Por Vjosa Osmani sot mohoi akuzat e AAK-së.
“E kam lexuar atë tekst dy- tri herë, kam sqaruar renditjen e paragrafeve… dhe e kam sqaruar se aty përfshihet fjala ‘për orientim’”, tha Osmani të enjten.
“Si parti opozitare, LDK nuk ka asnjë raport të vetëm me pushtetin, por po e bën për hir të liberalizimit të vizave”, shtoi ajo.
“Tash si duket AAK është nën stresin dhe frustrimin e mos arritjes se votave te mjaftueshme… Gjuha ndaj LDK-së është e turpshme dhe e dëmshme që dëmton procesin për kriterin te liberalizimit. Tani që nuk po arrijnë t’i gjejnë votat e mjaftueshme, po tentojnë ta sulmojnë LDK-në”, tha Osmani.
“Ne punojmë me dokumente”, tha Vjosa Osmani.
Osmani i sugjeroi AAK-së që sqarimet t’i kërkojë brenda koalicionit qeveritar.