Foto: Ilustrim

Vjetrohet Vepra e Keqpërdorimit të Kartelave Bankare

B.B, B.G, A.A, dhe F.A, u liruan pasi që aktakuza e ngritur ndaj tyre nga një prokuror i EULEX-it  më 6 qershor të vitit 2013 u vjetërsua.

Vendimin për vjetërsimin  e kësaj lënde e nxori gjyqtari i Gjykatës Themelore të Prishtinës Agron Kuçi.

Në vendimin e publikuar nga web faqen e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, shihet se ky gjyqtar këtë lëndë e ka pranuar më 16 shkurt të vitit të kaluar ndërsa vendimi se lënda ka arritur vjetërsimin mban datën 21 tetor 2016.

Gjyqtari Kuçi vendimin për parashkrimin e lëndës e arsyeton me faktin se në rastin konkret ka arritur afati kohor i ndalesës absolute të ndjekjes penale për të gjitha veprat që akuzoheshin të akuzuarit.

“Sipas dispozitave të nenit 3 (ligjit më të favorshëm_ dhe 106 par.1 pika 1.5 të KPK-së, vepra penale e cila është e dënueshme me më shumë se 1 vit parashkruhet kur të kanë kaluar 3 vite nga koha e kryerjes së veprës penale (parashkrimi relativ), kurse sipas dispozitës së nenit 107 par. 8, ndjekja penale parashkruhet në çdo rast kur kanë kaluar dyfishi i kohës së afatit të parashkrimit”, thuhet në vendimin e gjyqtarit Kuçi.

Në rastin konkret,  kanë kaluar më shumë se gjashtë vite nga koha e kryerjes së veprës penale, ngase veprat penale dyshohet të jenë kryer gjatë muajit gusht 2010, ndërsa parashkrimi është arritur më datë  1 gusht 2016.

Parashkrimin e rastit për KALLXO.com e konfirmoi edhe avokati Nikë Shala, që në këtë rast mbronte të akuzuarin A.A.

Shala thotë se i mbrojturi i tij asnjëherë nuk i është shmangur drejtësisë dhe gjithmonë ka qenë i gatshëm të ofroj prova për pafajësinë e tij, ndërsa thotë se arsyet e parashkrimit duhet të kërkohen në prokurori dhe gjykatë.

“Në rastin konkret Prokuroria dhe Gjykata kanë bërë zvarritje të gjatë dhe të paarsyeshme të procedurës e që bie ndesh me Kodin e Procedurës Penale dhe si pasojë e kësaj ka ardhur gjer tek parashkrimi i ndjekjes penale”, tha Shala për KALLXO.com

Shala thotë se në çdo fazë të procedurës penale,  gjykata dhe organet e ndjekjes janë të detyruar të kenë kujdes dhe të zbatojnë parashkrimin e veprave penale.