Foto Ilustrim: Vjedhje

Vjedhjet shndërrohen në 'industri', për dhjetë muaj ndodhën 4 mijë e 902 vjedhje në Kosovë

Një filiale e një banke është grabitur të premten e kaluar nga disa persona të dyshuar, ku vodhën një sasi parash.

Një tjetër ngjarje e tillë përfundoi me një të vrarë, pasi që pronari i një shtëpie në Prishtinë kishte qëlluar një person nën dyshimin se i njëjti po tentonte t`i grabiste shtëpinë.

Grabitjet të tilla e të shumta të cilat kanë ndodhur kohëve të fundit kanë bërë që Policia e Kosovës të rris masat për parandalimin e këtyre veprave.

KALLXO.com ka kërkuar nga ana e policisë të dijë në lidhje me statistikat e grabitjeve dhe të vjedhjeve të cilat kanë ndodhur këtë vit në periudhën janar- dhjetor.

Për dhjetë muaj, vetëm në Prishtinë, kanë ndodhur 59 grabitje të armatosura.

Në gjithë territorin e Kosovës, në të njëjtën periudhë në polici janë evidentuar 4 mijë e 92 raste të vjedhjeve.

Nëse numri i vjedhjeve llogaritet për ditë ose muaj, i bie që për 306 ditë sa ka periudha janar-tetor, në një ditë të kryhen 16 vjedhje ndërsa nëse llogaritet për muaj atëherë numri i tyre për një muaj do të ishte 490 vjedhje.

Ndërsa në vitin 2017 në polici janë evidentuar 5 mijë e 735 raste të veprave penale për vjedhje dhe grabitje.

Në një përgjigje të policisë drejtuar KALLXO.com, thuhet se policia pas hetimeve intensive në zbardhjen dhe arrestimin e kryerësve të këtyre veprave ka goditur 13 grupe kriminale që dyshohet që janë përfshirë në këto raste.

Nga këto grupe kriminale janë arrestuar 32 persona të dyshuar të cilët janë në paraburgim, ndërsa sipas policisë prej tyre  ka persona që dyshohet se kanë kryer me shume se dy grabitje, kurse gjashtë të dyshuar të tjerë, të identifikuar nga policia janë në arrati.

“Në të gjitha regjionet tjera kanë ndodhur shume me pak grabitje te armatosura, konkretisht në banka janë evidentuar gjashtë raste. Në këto gjashtë raste shtatë persona janë të dyshuar, nga këta janë arrestuar tre të dyshuar”, thuhet në përgjigjen e policisë drejtuar KALLXO.com.

Policia e Kosovës është angazhuar me patrullime dhe krijimit te task forcave te veçanta për të  ndërmarr masat për parandalim dhe arrestim te personave te dyshuar të përfshirë në veprat penale të vjedhjeve dhe grabitjeve.

“Të gjitha rastet policia i trajton në koordinim me organet e drejtësisë dhe personat e dyshuar e të arrestuar nga policia trajtohen me aktvendime të këtyre organeve”, thuhet tutje në përgjigjen e policisë drejtuar KALLXO.com.

https://kallxo.com/foto-grabitje-e-armatosur-e-bankes-ne-fushe-kosove/

https://kallxo.com/grabitje-e-armatosur-ne-matiqan/

https://kallxo.com/foto-grabitje-e-armatosur-ne-prishtine/

https://kallxo.com/grabitje-e-armatosur-ne-obiliq/

https://kallxo.com/i-vrari-ne-veternik-ishte-arrestuar-te-premten-e-kaluar-per-grabitje/