Kryeprokurori i Shtetit Aleksandër Lumezi në konferencë | Foto: Petrit Rrahmani

Vjedhja në Shtëpinë e Kryeprokurorit, Suspendohen Dy Zyrtarë Policorë

Ndaj dy zyrtarëve policorë është caktuar masa e suspendimit prej 48 orësh.

Suspendimi vjen pas një vjedhjeje që është kryer në orët e mëngjesit në shtëpinë e Kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi, e cila ishte nën mbikëqyrjen e Policisë.

Lajmin për masën e suspendimit për KALLXO.com e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani.

Sipas Kelanit, njëri nga zyrtarët policorë i takon Divizionit të Sigurimit dhe tjetri ishte mbikëqyrës i këtij të parit.

Zëdhënësi tha po ashtu se këto suspendime erdhën pas ndërmarrjes së masave të nevojshme policore.

“Lidhur me rastin në fjalë, Policia e Kosovës menjëherë i ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme policore për të hetuar rastin. Po ashtu, Policia e Kosovës ndaj një zyrtari policor të Divizionit të Sigurimit dhe ndaj mbikëqyrësit të tij ka marrë masa të suspendimit për 48 orë për të vazhduar me procedurat e mëtutjeshme policore”, tha Kelani për KALLXO.com.

Policia ka bërë të ditur orë më parë se shtëpia e Kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi, është grabitur sot në orët e hershme të mëngjesit.

Ekipi i KALLXO.com ishte te shtëpia e Kryeprokurorit të Shtetit. Në ato çaste në shtëpinë e tij po vendoseshin kamerat e sigurisë.

http://kallxo.com/pas-vjedhjes-shtepia-e-lumezit-pajiset-kamera/

http://kallxo.com/shtepia-e-aleksander-lumezit-ne-shenjester-te-hajnave/