Vizita e Gjeneralit Serb në Kosovë Zemëron Fshatin ku Ndodhën Masakrat

Deri tani janë zhvarrosur njëzetë e tetë viktima të masakrës së luftës në fshati Rezallë në Kosovë – kështu që kur shefi i Ushtrisë Serbe, i akuzuar për përfshirje në vdekjet e tyre, vizitoi Prishtinën, fshatarët u ndjenë të ofenduar.

Në shkollën fillore në Rezallë bie zilja, duke njoftuar fillimin e mësimit për rreth 300 nxënës të fshatit qendror të Kosovës.

Brenda në shkollë, varur në korridor midis pikturave të vizatuara nga nxënësit, janë fotografitë e fytyrave të 98 vendasve të vrarë nga forcat e Beogradit gjatë luftës së viteve 1998-1999 në Kosovë.

Drejtori i shkollës, Bajram Rrukolli, i cili ishte i burgosur lufte në kohën e sulmeve, thotë se disa nga viktimat janë ende të klasifikuar si të humbur.

Numri i të zhdukurve vitin e kaluar ra, kur eshtrat e 54 njerëzve nga rajoni përreth Drenicës u gjetën gjatë një operacioni zhvarrimi dymujor pranë qytetit jugor serb të Rashkës.

Director_pointing_the_missings
Foto: BIRN

Nga eshtrat që u gjetën, 28 u përkisnin viktimave nga Rezalla. Rrukolli tha se janë edhe 14 të tjerë që konsiderohen ende të zhdukur.

“Kemi ende edhe tre persona të tjerë nga ky fshat që u zhdukën në Bosnjë,” shtoi ai, duke shpjeguar se ata u zhdukën gjatë luftës pasi shkuan në Bosnjë të punonin në fillim të viteve 1990.

Një vizitë e pavend

Më 23 nëntor, shefi i shtabit të Ushtrisë Serbe, Ljubisa Dikoviq, vizitoi Prishtinën dhe u takua me Luigi Miglietta-n, kreun e KFOR-it, forcës së NATO-s në Kosovë. Të dy burrat nënshkruan një marrëveshje për  zonën e sigurt ajrore mbi Kosovë duke hequr kufizimet që janë të imponuar në vitin 1999.

dikovic_kfor
Foto: KFOR

Por në Rezallë, lajmi i vizitës së Dikoviqit shkaktoi zemërim pas akuzave se ai ishte përgjegjës për vrasjet dhe largimin e trupave nga fshati, si pjesë e një tentative për të mbuluar krimin.

Në janar, Qendra për të Drejtën Humanitare me bazë në Beograd publikoi një raport që akuzon Dikoviqin, i cili ishte komandant i Brigadës së 37-të të Ushtrisë Jugosllave gjatë konfliktit në Kosovë, se ishte në krye të trupave që sulmuan katër fshatra të Kosovës, duke përfshirë edhe Rezallën në prill dhe maj 1999.

Grupi i të drejtave të njeriut gjithashtu pohoi se Brigada e 37-të ishte përgjegjëse për largimin e mëvonshëm të trupave nga fshatrat në një tentativë për të mbuluar krimin.

Dikoviq e ka mohuar kryerjen e krimeve të luftës dhe presidenti Tomislav Nikoliq këmbënguli se gjenerali ishte “një oficer i nderuar i Ushtrisë Serbe” dhe se sulmet ndaj tij ishin të destinuara të diskreditonin ushtrinë së vendit.

Drejtori i shkollës, Rrukolli, tha se ai ishte i befasuar nga lajmi se shefi i Ushtrisë Serbe ishte në Kosovë dhe e kritikoi qeverinë që e lejoi atë të bënte këtë vizitë.

“Vendi ynë është në këtë situatë. Askush nuk e di se kush hyn dhe kush del. Është krejtësisht mungesë përgjegjësie,” tha ai.

Bekim Blakaj nga zyra e Qendrës për të Drejtën Humanitare në Prishtinë, tha se vizita e Dikoviqit tregoi se edhe KFOR-i dhe Qeveria e Kosovës ishin të pandjeshëm ndaj ndjenjave të atyre që kanë vuajtur.

“Kjo është një shkelje e dinjitetit të viktimave,” tha Blakaj.

Vrasjet dhe mbulimi i krimit

Në një kompleks përkujtimor në qendër të Rezallës, fshati përkujton viktimat e tij çdo vit më 5 prill, ditën kur Ushtria Jugosllave rrethoi vendin.

Trupat e Beogradit vranë 36 burra në periferi të fshatit. Trupat e tyre u larguan disa ditë më vonë pasi filloi përpjekja për të mbuluar krimin – një përpjekje për të fshehur provat në rast të ndonjë ndjekjeje penale ndërkombëtare.

Një nga të mbijetuarit është Ismet Rrukolli, i cili ishte vetëm 15 vjeç në kohën e masakrës. Ushtarët serbë e veçuan atë nga nëna dhe motra e tij dhe e urdhëruan të vihej në rresht me burrat e tjerë.

Ai tha se menjëherë pasi gratë me fëmijë u urdhëruan të largoheshin nga fshati, rreth orën 17:00, ushtarët filluan të qëllonin njerëzit që po qëndronin me kurriz nga ata pranë një gardhi pranë rrugës së fshatit.

“Dëgjova një mitraloz që na qëllonte nga një dritare e vogël. Rreth 30 ushtarë të tjerë filluan të na qëllonin menjëherë. Unë u shtriva përtokë. Mbijetova sepse xhaxhai im më mbuloi me trupin e tij,” tha Rrukolli.

Edhe pse Rrukolli u godit dy herë në krah dhe në shpinë, ai vazhdoi të qëndronte i fshehur edhe për dy orë të tjera.

Në mbrëmje, ai u arratis dhe shkoi në fshatin fqinj Tushilë, ku ishin strehuar vëllezërit e tij.

Trupi i xhaxhait të tij, i cili e shpëtoi atë nga vdekja atë ditë, që atëherë është ende i zhdukur.

Sokol Rrukolli u zgjua rreth orës nëntë të mëngjesit më 5 prill nga zhurma e të shtënave. Rezalla u rrethua nga forcat ushtarake dhe disa njerëz u rrahën keq nga ushtarët, tha ai.

Ai ishte 13 vjeç dhe ai arriti t’i bashkohej një grupi grash që ishin urdhëruar të largoheshin nga fshati. Por babai i tij, mësuesi i fshatit Isuf Rrukolli, mbeti pas.

“Pak kohë më pas, dëgjova të shtënat,” risjell në mendje ai.

“Në vitin 2004, gjeta trupin e babait tim. Ishte pranë vendit ku ata u ekzekutuan.”

Zyra e  prokurorit serb aktualisht po drejton një hetim paraprak për krimet e luftës të kryera në fshatrat Rezallë dhe Qirez në vitin 1999.

Tre persona janë të dyshuar, por emrat e tyre nuk janë bërë ende publik. Nuk është e qartë nëse emri i Dikoviqit është ndër ta.

Ndërkohë, shefi i Ushtrisë Serbe ka ngritur padinë e tij kundër themelueses së Qendrës për të Drejtën Humanitare Natasa Kandiq, duke pretenduar se nderi dhe reputacioni i tij janë dëmtuar nga akuzat ndaj tij për krime lufte.