ILUSTRIM- Kallashnikovi i konfiskuar nga Policia e Kosovës, Foto: Policia e Kosovës

Vitiasi plagos dasmorin

Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti për krime të rënda, sot, në Gjykatën kompetente në Gjilan, ka paraqitur kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit, ndaj të dyshuarit I.A, i cili gjatë një ahengu familjar plagosi aksidentalisht një person me armë.

Sipas prokurorisë, i dyshuari I.A, dyshohet se gjatë ditës së djeshme në fshatin Sodovinë e Qerkezëve, komuna e Vitisë,  nga pakujdesia ka shkaktuar rrezik të madh për jetën e njerëzve, pasi që  i pajisur me armë, gjatë një ahengu familjar, në të cilin kishte të pranishëm shumë njerëz, ka nxjerrë armën nga brezi dhe ka shkrepur brenda dhomës.

Si pasojë ka goditur një herë me një predhë të dëmtuarin S.B., në krahun e majtë dhe në pjesën e pasme të shpatullës së majtë, i cili për shkak të lëndimeve të rënda trupore është dërguar për tretman mjekësor në Spitalin Regjional në Gjilan.

Gjithashtu, i dyshuari, pa autorizim dhe në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm për armët, ka mbajtur në pronësi armë zjarri, e cila edhe është sekuestruar nga policia.

Prokuroria, ka propozuar masën e paraburgimit, me qëllim të sigurimit të kushteve sa më normale për zhvillim e procedurës penale, për të cilën pritet që brenda afatit ligjor të vendosë Gjykata Themelore në Gjilan.

KALLXO.com ka raportuar mëngjesin e sotëm për këtë plagosje.

https://kallxo.com/viti-festa-me-arme-plagos-aksidentalisht-nje-person/