Ish-deputetja e Parlamentit Europian, Doris Pack, Foto; Komuna e Vitisë

Vitia shpall 'Qytetare Nderi' ish-eurodeputeten Doris Pack

Ish-deputetja e Parlamentit Europian, Doris Pack, është shpallur “Qytetare Nderi” nga komuna e Vitisë.

Komuna e Vitisë e ka dekoruar ish-deputeten e PE-së për kontributin që ajo ka dhënë në proceset integruese dhe mbështetjes së vazhdueshme të Kosovës.

Kjo u bë sot në një seancë solemne të Kuvendit Komunal, ku pos këshilltarëve komunalë, ishin të pranishëm edhe përfaqësues të subjekteve tjera politike, personalitete nga jeta publike, mysafirë nga institucionet qendrore dhe mekanizmave tjerë.

Në fjalën e tij, kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, theksoi se kontributi i Pack për Kosovën gjithmonë ka qenë i madh dhe me të drejtë quhet mike e shqiptarëve dhe e popullit të Kosovës.

“Vitia është e nderuar që sot përmes kësaj ceremonie, ndoshta simbolike karshi kontributin tuaj, por shumë domethënëse, të ju falënderoj me sinqeritetin më të lartë për gjurmët e juaja që i latë para dhe pas formimit të institucioneve të para të shtetit tonë të Kosovës”, ka thënë thënë Haliti.

Vitia pas nderimit që i bëri diplomatit amerikan, Richard Holbrook, si figurë shumë e rëndësishme e diplomacisë amerikane, vitin e kaluar Komuna e Vitisë ka nderuar edhe ish-presidenten e Zvicrës, Calmy Ray.

“Sot kryefjala e kësaj ngjarje është njohja e kontributit te zonjës Doris Pack, për mbështetje të proceseve nëpër të cilat ka kaluar Kosova. Prandaj, me lejoni të marr guximin me plot të drejtë ta quaj mike të shtetit tonë. Meqë deklaratat dhe qëndrimet e saj gjithnjë kanë qene një zë i fuqishëm për mëvetësinë e popullit te Kosovës, por mbi të gjitha, ne gjithnjë do t’i vlerësojmë lartë qëndrimet e saj, për të drejta parimore, qëndrime të vendosura dhe paqësore, në interes të vendit tonë”, ka thënë kryetari Haliti.

Kurse në fjalën e saj, ish-deputetja e Parlamentit Evropian, Doris Pack, është shprehur se ndjehet tejet e nderuar me nderin që i ka bërë Vitia.

Në seancën solemne, para të pranishmëve ajo ka përmendur disa kujtime të vizitës së parë të bërë në Kosovë në vitin 1989-90, takimet me përfaqësuesit politik të asaj kohe, si dhe çmoi lartë përkushtimin e presidentit historik, Ibrahim Rugova dhe veprimtarit Adem Demaçi, për kontributin në rrugën e mëvetësisë së Kosovës.

Duke folur për zhvillimet aktuale, Pack theksoi se populli i Kosovës duhet të shikoj e të kërkoj më shumë nga ata që kanë përgjegjësi, se përse Kosova ende nuk ka liberalizim, e jo që për këtë t’i lihet faji vetëm Brukselit.

“Politikanët e Kosovës, duhet të punojnë më shumë për interesa të përgjithshme të popullit e të lënë anash interesat personale. Dialogu mes Kosovës e Serbisë duhet të rezultoi me zgjidhje, në krijimin e një fqinjësie të mirë, por assesi të ketë ndarje të territoreve,sepse ato janë jo të favorshme për të ardhmen”, tha Pack.

Ajo theksoi se momentet e këtilla janë të pazëvendësueshme pasi që po zgjeron rrethin e miqësisë me popujt tjerë, që të falënderoj për kontributin që ke dhënë gjatë një misioni që ke pasur përballë.

Shpallja “Qytetare Nderi” e komunës së Vitisë të ish-euro deputetes, Doris Pack, erdhi me propozimin e kryetarit të komunës dhe me miratimin unanim të këtij propozim vendimi nga Kuvendi Komunal i Vitisë.

Pas seancës solemne, u vizitua edhe ekspozita me fotografi kushtuar Doris Pack.