Vitia me Plan Integriteti Kundër Korrupsionit

Komuna e Vitisë në bashkëpunim me Programin e Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) ka nënshkruar sot marrëveshjen për hartimin e Planit për Integritet.

Kontrata është nënshkruar nga kryetari i komunës së Vitisë, Sokol Haliti dhe Valbona Bogujevci nga UNDP.

Plani i Integritetit paraqet procesin e zhvillimit të aftësive dhe kapaciteteve të reja të stafit komunal për të parandaluar, rezistuar dhe zbutur dukuritë korruptive.

“Ky është një ndër aktivitetet që Komuna e Vitisë do të zhvillojë në bashkëpunim me programin anti-korrupsion të UNDP-së që ka për qëllim të forcojë transparencën, dhe llogaridhënien institucionale”, thuhet në komunikatën e UNDP-së.

Kjo iniciativë është vazhdimësi e aktiviteteve të shumta në luftën kundër korrupsionit në nivel komunal të cilat është duke i implementuar projekti SAEK i cili mbështetet financiarisht nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC).

Aktivitete të tjera pritet të implementohen gjatë periudhës 2016 – 2020.

Komuna e Vitisë është komuna e gjashtë që harton dhe zotohet të zbatojë Planin për Integritet, obligim ligjor nga Strategjia Kundër Korrupsion 2013 – 2017.