Sokol Haliti, kryetar i komunës së Vitisë

Vitia e Mëditjeve të ‘Pamerituara’ dhe Asfaltit të 'Skaduar' Shpejt

Dy vjet më parë, kryetari i komunës së Vitisë, Sokol Haliti, kur garonte për këtë post në emër të LDK-së, u premtonte votuesve të komunës së tij se nuk do të lejonte shkelje të ligjit në një administratë të menaxhuar nga ai.

Kryetari i atëhershëm i komunës, Nexhmedin Arifi i PDK-së, kishte mjaft punë me drejtësinë, në cilësinë e të akuzuarit.

Dy vjet më vonë, njerëzit e Halitit gjenden në listën e hetuesisë si të akuzuar.

Ndaj drejtuesit të asamblesë komunale të Vitisë, Naim Pira, Prokuroria ka ngritur aktakuzë pasi dyshohet se u ka dhënë mëditje asamblistëve komunalë pa marrë fare pjesë në mbledhjet e asamblesë.

Naim Pira premton se do të japë përgjegjësi nëse vërtetohet se e ka keqpërdorur “vetëm një cent”, ndërsa Sokol Haliti e pranon ngritjen e aktakuzës, por thotë se këto janë vetëm dyshime të cilat “nuk vërtetojnë se janë bërë shkelje”.

Sokol Haliti ka dalë para Jeta Xharrës dhe asamblistëve komunalë për të dhënë llogari për punën gjatë dy viteve të para të mandatit në krye të komunës.

Një punë për të cilën i krenohet se e ka bërë është rregullimi i një pjese të shtratit të lumit Morava i cili për vjet të tëra kishte qenë ferri i fermerëve të komunës së Vitisë për shkak se rrjedha e lumit, në ditët me të reshura, u shkatërronte të mbjellat dhe depërtonte nëpër objektet e banueshme.

Në debat, Haliti u pyet nga Jeta Xharra edhe për asfaltimin e rrugëë në fshatin Tërpezë, e cila ishte premtuar në fushatën zgjedhore të vitit 2013. Kjo rrugë është shtruar, por ajo pas një muaji ishte çarë dhe komuna kishte ndërhyrë për ta arnuar.

Bekim Azizi i cili është në opozitë tha ky asfalt është prishur në kohë rekorde pasi që, sipas tij, shtrimi i saj ishte bërë jashtë standardeve.

“Asfalti i ri është shtruar mbi asfaltin e vjetër dhe kjo është e paqëndrueshme”, tha Azizi.

Kryetari Haliti nuk mohoi këtë defekt por tha që gjatë mandatit të tij janë shtruar 36 rrugë.

“Nuk mund të përqendrohemi veç të njëra rrugë me defekte”, tha ai.

Në debat u ngrit dhe çështja lidhur me shkollën fillore “Halil Alidemaj” në Pozheran ndërtimi i të cilës ishte premtuar gjatë fushatës zgjedhore.

Përkundër që drejtoria e Inspeksionit në prill të vitit 2012 kishte dhënë një rekomandim në të cilin thuhej se ky objekt paraqet rrezik për jetën e njeriut, shkolla nuk është ndërtuar ende.

“Ka qenë prioritet numër një dhe ka qenë sfidë për neve që e kemi paraqitë, por s’kemi arritë më herët me pas ndikimin do të thotë me u fut në buxhetin qendror që me u ndërtu kjo shkollë, por tash kemi arritur për fat të mirë”, deklaroi Haliti.

Mirlinda Sadiku që vjen nga AAK në opozitë, tha se prindërit e këtyre fëmijëve të cilët shkojnë në këtë shkollë kanë bërë peticion që nuk do t’i dërgojnë ata fëmijë në ato klasë pasi që shëndeti i tyre është shumë i rëndësishëm.

“Nuk e kuptoj kryetarin se si më parë ka  investuar në shkollën e parë shqipe, e cila është muze, e jo në këtë shkollë”, tha Mirlinda Sadiku në debat.

Haliti i ftoi të gjithë asamblistët që të japin ide dhe zgjidhje lidhur me këto probleme, dhe u shpreh i gatshëm që të bashkëpunojë me të gjithë “për të mirën e komunës”.

Poashtu u debatua edhe lidhur me shëndetësinë si nevojë shumë e madhe për qytetarët e kësaj komune.

Sipas opozitës, komuna në shëndetësi më shumë po investon në dekorim të jashtëm- ndërtim të objekteve se sa në ofrimin e shërbimeve për qytetarët.

U përmend edhe fakti që në Viti vitin e kaluar janë më shumë se 900 lindje, por përkundër që ekziston reparti i Gjinekologjisë, orari i doktorit që punon aty është vetëm deri ora 15:00 dhe kjo bën që pak pacientë të kërkojnë shërbime në këtë repart.

Gjithashtu sipas opozitës nevoja për një repart të hemodializës është e patjetërsueshme pasi që Vitia njihet si zonë endemike.

Kryetari u përgjigj duke thënë se ka ngritur zërin më shumë se opozita lidhur me hemodializën, por deri tani ka qenë e pamundur ky investim pasi që kjo duhet të arrihet nëpërmjet marrëveshjes me spitalin regjional të Gjilanit.