Viti i Krypometrit, Top-Rrenat e Vitit 2017

Krerët më të lartë të shtetit ishin protagonistë të gënjeshtrave publike që u matën nga Krypometri në vitin 2017.

Krypometri është verifikuesi i parë dhe i vetmi i fakteve në Kosovë, i cili u bë pjesë e Rrjetit Ndërkombëtar për Vërtetimin e Fakteve (IFCN).

Në dhjetor të vitit të kaluar, Krypometri që paraqet rrenat apo të vërtetat e thëna publikisht në KALLXO.com mori licencë ndërkombëtare.

Që nga fillimi i funksionimit të tij,për një vit të plotë Krypometri bëri matjen e mbi 60 fakteve, ndër të cilat shumica dolën të jenë rrena.

Emisioni ‘Jeta në Kosovë’ transmetoi disa nga rrenat më të mëdha gjatë vitit 2017 të matura nga Krypometri.

Ndër to ishte rrena e Kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili kishte thënë se nuk do të emërojë më shumë se dy zëvendës ministra për ministri.

Në rrenë u zunë edhe ish-kryeministri Isa Mustafa lidhur me qeverinë me duar të pastra dhe rritjen ekonomike, ndërsa kryeparlamentari, Kadri Veseli lidhur me rrëzimin e Qeverisë së udhëhequr nga Mustafa.

Të tjerë që u ‘kapën’ në rrenë nga Krypometri ishin edhe  Hashim Thaçi, Behgjet Pacolli, Teuta Rugova, Besnik Tahiri etj.

Ndërsa ndër ata që e mbajtën fjalën disa herë ishin Shpend Ahmeti, Ramiz Lladrovci dhe Korab Sejdiu.

Në emisionin ‘Jeta në Kosovë’, janë listuar  gjithashtu, Kryetarët e Komunave që gënjyen lidhur me emërimin e grave drejtoresha si dhe transmetuan gënjeshtrat kryesore të vitit 2017 të cilat u matën nga KRYPOMETRI.

Ndërkaq në segmentin e parë të këtij emisioni është transmetuar një përmbledhje diskutimesh për ndotjen e ajrit dhe përdorimit të qymyrit në Kosovë.

Emisionin e plotë ‘Jeta në Kosovë’, mund ta ndiqni në linkun e mëposhtëm: