Visar Ymeri, ish-kryetar i Vetëvendosjes

Visar Ymeri: Procesi Ndaj Aktivistëve Nuk ka Pasur Bazë Ligjore

Ish-kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, ka shkruar në lidhje me vendimin e Gjykatës së Apelit, për të cilin raportoi ekskluzivisht KALLXO.com, për ta kthyer në rigjykimin procesin ndaj 4 aktivistëve të VV-së.

Sipas Ymerit, vendimi i Apelit tregon që procesi nuk ka pasur bazë ligjore dhe se aktivistët janë mbajtur në burg pa faj.

Sipas tij, nëse aktivistët nuk do të ishin arrestuar, Astrit Dehari sot do të ishte gjallë.

Ky është postimi i plotë i Visar Ymerit.

Frashëri, Atdheu e Egzoni u liruan sot nga burgu. Ndërkohë që aktgjykimi i gjykatës themelore që i kishte dënuar këta dhe Adean me 21 vite e gjysmë burg u anuluar dhe procesi është kthyer në rigjykim.

Që do të thotë që procesi nuk ka pasur bazë ligjore e as mbështetje në prova a dëshmi.

Që do të thotë që këta janë mbajtur në burg pa pas kurrfarë faji.

Që do të thotë se janë arrestuar pa pasur asnjë dëshmi a provë.

Pra që janë arrestuar pa faj.

Janë mbajtuar në burg pa faj.

Këta katër dhe Astriti.

Po të mos ishte mbajtur pafajësisht në burg, sot Astriti do ta festonte ditëlindjen e 28-të.

Për këtë rast të montuar e për Astritin pushteti ka përgjegjësi. Dhe për këtë duhet të jap përgjegjësi.