Visar Ymeri: Kosova ka Nevojë për Dialog me Serbët e Kosovës

Kryetari i Lëvizjes “Vetëvendosje”, Visar Ymeri, tha se në Kosovë ka nevojë për dialog në mes autoriteteve kosovare dhe serbëve në Kosovë me qëllim të integrimit të tyre në shoqërinë kosovare.

“Për dallim nga dialogu i zhvilluar në Bruksel, ky dialog nuk duhet të jetë i mbyllur por duhet të jetë i hapur, duhet të jetë jo diplomatik, po dialog demokratik, duhet të jetë dialog jozyrtar por dialog shoqëror, duhet të jetë jo për territore por për zhvillim” tha Ymeri.

Ndërkaq, ai foli edhe për marrëveshjet e arritura në Bruksel, duke tërhequr një paralele në mes këtyre marrëveshjeve dhe Marrëveshjes për Normalizimin e Marrëdhënieve mes ish-Jugosllavisë dhe Kroacisë e arritur në vitin 1996.

Duke bërë krahasim në mes këtyre marrëveshje ai theksoi se vërehet dallim diametralisht i kundërt në mes tyre edhe pse të dyja kanë pothuajse të njëjtin qëllim.

“Marrëveshja me Kroacinë thelb ka reciprocitetin e marrëdhënieve dhe njohjen e ndërsjellë. Te Kosova ka në thelb asimetrinë dhe mos njohjen e ekzistencës së të dyja palëve,” shtoi Ymeri.

Ymeri nuk la pa përmend edhe njëherë se Qeveria e Kosovës duhet të dorëhiqet pas  aktvendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.

“Shkelja e Kushtetutës nuk bën të amnistohet, dhe si e tillë kjo qeveri nuk mund më  të qeverisë. Natyrisht të kishim qenë një vend demokratik, një qeveri që u jep llogari qytetarëve të republikës atëherë kjo qeveri tashmë do të kishte dhënë dorëheqje,” tha Ymeri.