Violina Para Kuvendit Trajtohet si Bombë

Një violinë e harruar para objektit të Kuvendit të Kosovës u trajtua me dyshim nga policia.

Granit Luta, nxënës i shkollës së muzikës “Prenk Jakova” u bë sot pjesë e një “zhurme” 15 minutëshe në sheshin “Ibrahim Rugova”.

Ai kishte harruar violinën e tij para Kuvendit, por policia dyshoi që në të kishte mjet shpërthyes.

“Jom kon me ni shok, edhe tu menu qe është tu ma majt ai violinën, jena përzi pahiri e tu shku n’shpi m’ka ra men që se kom violinën edhe u ktheva. Kur u ktheva e pashë që policia e kishin rrethu ktu. Fillimisht m’vetën a osht qikjo violinë e jotja? Masnej m’kontrollun edhe mu, edhe violinën edhe mas 15 minutave m’lshun,” tha Luta.

Edhe policia shpjegoi veprimet e saj para Kuvendit.

“Rreth orës 15:00 policia ka marrë informatën në lidhje me një çantë në  Sheshin ‘Ibrahim Rugova’ në Prishtinë. Natyrisht ka ndërmarrë të gjitha veprimet e duhura për të mos neglizhuar dyshimet për faktin se deri në atë moment nuk dihej se si ka ardhë ajo çantë violine aty,” tha zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Prishtinës Agron Borovci.

Borovci bëri të ditur se pronarit i është kthyer mjeti në të cilin dyshohej.

“Ndërkohë që policia po kryente punën e saj, pronari i çantës së violinës ka ardhur dhe pasi është verifikur nga ana e policisë ai ka marrë atë dhe gjithçka ka përfunduar,” tha Borovci.