Foto:YIHR/Facebook

Viktimat shqiptare të Kosovës kujtohen në rrugët e Beogradit

Nisma e të Rinjve për të Drejta të Njeriut dhe Qendra për të Drejtën Humanitare organizuan të mërkurën në rrugët e Beogradit një performansë me të cilën kujtuan viktimat civile shqiptare të Kosovës gjatë luftës së para dy dekadave.

Nën moton “I kujtojmë krimet në Kosovë” dhe pankartat tjera në të cilat ishin shkruar vendet në të cilat janë kryer masakrat më të tmerrshme gjatë luftës Pastasel, Rezallë, Dubravë, Mejë, Qyshk, Çikatovë e Vjetër, Tërrnje dhe Studime e Poshtme dhe e Epërme, një grup qytetarësh bënë homazhe viktimave.

Aksioni ishte titulluar “Rekonstruimi i krimeve”.

“Kujtojmë se përveç bombardimeve të NATO-s, banorët shqiptarë në Kosovë i janë ekspozuar edhe spastrimit etnik nga ana e regjimit të Slobodan Milosheviqit ndërsa forcat e armatosura kanë kryer një numër të madh krimesh të cilat kanë kulmuar me përzënien e 800 mijë shqiptarëve nga shtëpitë e tyre”, ka thënë Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut në Beograd.

“Me këtë rast ne shprehim dhimbjen dhe simpatinë tonë të thellë me familjet e të vrarëve”, tha kjo organizatë.