Foto: Ilustrim

Viktimat e luftës: Në Zallq të Istogut gjenden eshtra, dyshohet të jenë të një fëmije

Për shkak se gjatë ditëve të dimrit mjekësia ligjore e ka të pamundur të bëjë gërmime për mbetjet mortore të luftës së fundit në Kosovë, sot është bërë gërmimi i parë për këtë vit.

Këto gërmime kanë filluar në fshatin Zallq të komunës së Istogut, ndërsa do të vazhdohet edhe në shtatë lokacione të ndryshme.

Drejtori i Institutit për Mjekësi Ligjore, Arsim Gërxhaliu, ka treguar për KALLXO.com se gjatë gërmimeve në këtë lokacion janë gjetur eshtra, të cilat dyshohet se janë të një fëmije.

“Ekipi ka gjetur mbetje mortore në fshatin Zallq të Istogut, të cilat mendohet se janë të një fëmije që mund të jetë prej moshës 7 deri në 12 vjet”, ka rrëfyer Gërxhaliu.

Gërxhaliu thotë se këta eshtra janë gjetur para tre muajsh nga banorët e zonës, të cilët kanë njoftuar institutin, ndërsa për shkak të motit të ftohtë Instituti i Mjekësisë Ligjore nuk bën gërmime gjatë dimrit.

Ai ka shtuar se gjatë javëve në vazhdim do të vazhdohet edhe me gërmime të tjera në lokacione të ndryshme të Kosovës.

“Ne si vend të parë për gërmime e kemi identifikuar Zallqin, ndërsa në atë pjesë nuk ka më, është përmbyll ai lokacion. Këtë javë do ta hapin edhe një varrezë në Landovicë sepse ka kërkuar familja që ta bëjmë identifikimin përmes ADN-së, ndërsa prej javës tjetër planifikojmë të vazhdojmë, i kemi edhe shtatë urdhëresa për të cilat duhet t’i shikojmë edhe vendet e tjera”, ka shtuar Gërxhaliu.

Tutje ka shpjeguar se mbetjet e gjetura mortore do të dërgohen në ICMP (Komisionin ndërkombëtar për personat e pagjetur) në Hagë dhe pas arritjes së analizave do të behët i ditur edhe identiteti.

Gërmimi i bërë sot në fshatin Zallq të Istogut si dhe gërmimet e tjera në lokacionet e ndryshme në Kosovë, dyshohen për mbetje mortore të luftës së fundit në Kosovë.