'Vijat' e Partive për Demarkacionin, të Pandryshueshme

Më 6 shkurt, kryeministri malazez, Dushko Markoviq pritet të vijë në Kosovë për të diskutuar për çështje të interesit dypalësh. ndërsa një marrëveshje për demarkacion të kufirit mes dy vendeve mbetet ende e pazbatuar, tash e dy vjet e gjysmë.

Mali i Zi e ka ratifikuar këtë marrëveshje në Kuvendin e saj, ndërsa në Kosovë po vazhdon të jetë temë diskutimi tash e dy vjet e gjysmë mqeë Kuvendi nuk i ka votat e mjaftueshme për ta ratifikuar këtë marrëveshje.

Deputeti i Alternativës, Ilir Deda, tha para pak ditësh se disa parti në koalicionin qeverisës kanë propozuar një aneks marrëveshje për demarkacionin në përpjekje për të dalë nga qorrsokaku.

Në një prononcim për BIRN, Deda ka treguar për planin e Qeverisë, i cili është një marrëveshje ndërmjet qeverive në Prishtinë e Podgoricë për të forcuar njërën na pikat e marrëveshjet së parë të nënshkruar në gusht të 2015.

“Plani i një pjesë të Qeverisë së tanishme për ratifikimin e demarkacionit është një lloj deklarata e përbashkët me qeverinë e Malit të Zi për të përforcuar pikën e 7 të marrëveshjes për demarkacionin e kufirit. Pika 7 thotë se gjatë përcaktimit fizik të kufirit, në dy vitet e ardhshme, çdo dokument i ri që mund të gjendet lidhur me pronat e tokës do të merret parasysh nga të dy komisionet e dy shteteve dhe do të adresohet sipas marrëveshjes”, tha deputeti Deda për BIRN.

Ndërsa deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Blerim Kuci i tha BIRN-it se kjo marrëveshje shumë shpejt do të vijë në Kuvend dhe se deputetët kanë marrë mjaftueshëm informacione sa të vendosin vet.

Ai tha se AAK nuk ka ndërruar në qëndrimet e saj, ndërsa shton se nuk e di nëse do të ketë ndonjë aneks në marrëveshjen e arritur tashmë dhe të ratifikuar nga ana e Malit të Zi.

“Këto i kam dëgjuar vetëm përmes mediave, nuk di nëse ka version tjetër. Nuk mund të komentoj. Kur të jetë e qartë atëherë mund të përcaktohemi si parti. Ne nuk kemi pranuar zyrtarisht asnjë propozim përveç opinioneve nëpër media të cilat duhet të jenë më të qarta për të parë nëse ka zgjidhje tjetër. Nëse nuk kalon prapë do të ulemi të bisedojmë me Malin e Zi që të shohim përmirësimin e atyre gabimeve. Kjo marrëveshje është votu në Kuvendin e Malit të Zi dhe ne nuk mund t’i ndryshojmë as edhe një presje, ndërsa nëse do të ketë ndonjë aneks marrëveshje atë nuk e di”, tha Kuçi për BIRN.

Ai e sheh si të rëndësishme vizitën e kryeministrit malazez, Markoviq, e ku beson se do të diskutohet për demarkacionin.

Ndërsa deputeti PDK-së, Zenun Pajaziti tha për BIRN se partia të cilës ai i takon nuk ka ndërruar qëndrime, por thotë që nuk është në dijeni për ndonjë aneks marrëveshje.

“PDK e ka pasur qysh me kohë qëndrimin e qartë i cili është i pandryshueshëm. Kërkojmë që gjithë spektri politik të reflektojë dhe të kemi një konsensus në këtë çështje. Nuk e kam parë ndonjë aneks deklarate por nuk ka asgjë të keqe të ketë një deklarate shtesë që mund të ishte e vullnetit të mirë që bashkë me Malin e Zi të trajtohen çështje me interes të përbashkët”, tha Krasniqi për BIRN.

E deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku i tha BIRN-it se qëndrimi i LDK-së tashmë është i njohur dhe i mbetet i pandryshuar. LDK-ja e përkrahë marrëveshjen aktuale të kufirit me Malin e ZI.

“Qëndrimi i LDK-së është bërë publik muaj më parë. I njëjti mbetet i pandryshuar. Në momentin e parë që Qeveria i ka votat për Demarkacionin, LDK do ta mbështesë atë. LDK ka treguar gjithherë gatishmëri për t’i dhënë fund izolimit të vendit. Fatkeqësisht, është Qeveria e Kosovës që me kauza të gabuara po i mbanë qytetarët tanë pa liberalizim të vizave”, tha Abidixhiku për BIRN.

Marrëveshja për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi është nënshkruar nga qeveria e kaluar më 26 gusht 2015. Në atë kohë, ministri i jashtëm, tani president, Hashim Thaçi së bashku me ministrin e Punëve të Brendshme, Skënder Hysenin kishin nënshkruar marrëveshjen e cila kishte prodhuar edhe trazira në Kosovë.

Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovë kishin kundërshtuar këtë marrëveshje së bashku me marrëveshjen tjetër ndërkombëtare, atë të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe me protesta të shumta e disa herë edhe të dhunshme. Madje deputetët e këtyre 3 partive kishin hedhur disa herë edhe gaz lotsjellës në Kuvend të Kosovës.

Tani 4 deputetë janë dënuar nga Gjykata Themelore e Prishtinës për hedhje të gazit lotsjellës, që është cilësuar si armë.

http://kallxo.com/denohet-me-burg-deputeti-albin-kurti/

Institucionet e BE-së kanë përsëritur disa herë që kushti kryesor për liberalizim të vizave për Kosovës është ratifikimi i kësaj marrëveshje.