Ilustrim

Vidhen shtëpitë e serbëve në Klinë, policia arreston dy persona

Gjatë ditës së djeshme Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona, njëri nga ta i mitur, për vjedhje në Pejë.

Me anë të një njoftimi, policia ka thënë se gjatë ditës së djeshme rreth orës 17:30 përmes punës operativo-hetimore, ka pranuar informatë se në fshatin Grapc të komunës së Klinës, disa persona po kryenin disa vjedhje në shtëpitë e komunitetit serb.

Njësia e hetimeve dhe njësitë tjera policore, menjëherë iu kanë përgjigjur vendit të ngjarjes dhe me te arritur në fshatin Grapc, kanë kapur në flagrancë dy të dyshuar, njëri nga ata i mitur.

“Gjatë intervistimit, i dyshuar F.A. (1974) ka pranuar se kishte thyer dy shtëpi në atë fshat dhe në njërën shtëpi kishte marrë katër karrige druri dhe një bojler”, thuhet në njoftimin e policisë.

Në konsultim me prokurorin e shtetit, me urdhër verbal të gjyqtarit kompetent, është kryer bastisje në shtëpinë e te dyshuarit, ku janë gjetur dhe konfiskuar edhe provat tjera materiale si dy bojlerë, 1 mikrovalë, 1 shporet i rrymës, 8 qese me detergjent, 8 karrige druri, 3 enë për ushqim, 2 bidona plini, 1 grirëse e mishit, 8 litra shampon për enë, 4 shishe qelqi me alkool, te cilat dyshohet te jenë vjedhur pikërisht në këto dy shtëpi .

Pas intervistimit, i dyshuari F. A. është ndaluar në ndalim policor për 48 orë, ndërsa i mituri është liruar.