Ukë Rugova

VIDEO - Ukë Rugova flet për votën e Teuta Rugovës kundër LDK-së në Kuvend

Ukë Rugova, i biri i kryetarit historik të LDK-së, Ibrahim Rugova, është duke marrë pjesë në Kuvendin e Nëntë Zgjedhor të LDK-së i cili po mbahet sot.

Në një deklaratë për KALLXO.com, Ukë Rugova ka thënë se u takon delegatëve të Kuvendit të vendosin për kryetarin e partisë për katër vitet e ardhshme, ndërsa ai ka ofruar mbështetje për secilin që e fiton besimin.

“Për këtë do të vendosin delegatët por sido që të jetë, ne do ta përkrahim kryetarin e ardhshëm në sfidat e radhës që do t’i ketë LDK dhe Kosova në vitet e ardhshme”, tha Rugova për KALLXO.com.

“Do të vazhdoj që të jem në LDK”, tha Ukë Rugova pavarësisht se viteve të fundit ka mbajtur qëndrime kundër atyre të partisë.

Ai nuk e ka përjashtuar mundësinë që të jetë pjesë e listës së kandidatëve të LDK-së për zgjedhjet e ardhshme të jashtëzakonshme parlamentare.

“Të shohim si do të rrjedhin ngjarjet në ditët dhe javët në vijim. Është Këshilli i Përgjithshëm ai që vendos”, tha Rugova.

Ai është pyetur edhe për votën e motrës së saj, Teuta Rugovës, e cila si deputete e LDK-së shpesh ka votuar kundër qëndrimeve të kësaj partie.

“Votat e Teutës dhe familjes tonë kanë qenë për të mirën e Kosovës”, tha Ukë Rugova.

Aktualisht Ukë Rugova është në një proces gjyqësor në rastin e keqpërdorimit me vizat italiane.