VIDEO - Suedezët vrapojnë dhe e pastrojnë ‘Gërminë’
Trendi suedez si kombinim i qejfit dhe pastrimit të mjedisit i quajtur “Plogging” është zbuluar dy vite më parë në shtetin skandinav, por sot për herë të parë ka gjetur aplikim edhe në Kosovë.
Ambasadori i Suedisë, Henrik Nilsson, bashkë me stafin e Ambasadës dhe me disa partnerë kanë dalë për ‘Plogging’ në parkun e Gërmisë.
Nilson u shpreh i lumtur që po e mbajnë këtë aktivitet në Kosovë.
“Jemi mbledhur sot këtu për të bërë diçka shumë të rëndësishme, për mjedisin dhe për ngritur vlerën tonë qytetare. Këtë trend që do ta zhvillojmë sot e thërrasim ‘Plogging’. Kjo shprehje është kombinim nga një fjala suedeze ‘plocka upp’, që do të thotë ‘me marrë’ dhe fjalës jogging që do të thotë ‘vrap i lehtë’ dhe kështu formohet fjala ‘Plogging’”, sqaroi ambasadori.
Nilsson theksoi se ky term është shpikur dy vite më parë nga sportisti suedez Erik Ahlström.
“Ai e bëri shpikjen duke thënë se pse të mos kombinohet qejfi me diçka shumë të dobishme. Qejf në kuptimin që është diçka e lehtë, të gjithë mund ta bëjnë, është e mirë për shëndetin tonë dhe për natyrën gjithashtu”, shtoi ai.
Ambasada e Suedisë shpreson që me këtë aktivitet t’i nxisë qytetarët nga mbarë Kosova që ta aplikojnë sa më shumë ecjen apo vrapimin dhe pastrimin e mjedisit në të njëjtën kohë.