Spitali i Pejës - Foto: KALLXO.com

VIDEO: Spitali i Pejës përballet me mungesë të mjekëve

Mungesa e mjekëve specialistë në Spitalin Rajonal të Pejës paraqet një problem serioz në menaxhimin e punës thotë për KALLXO.com Skender Dreshaj, drejtor i përgjithshëm i këtij spitali.

Sipas tij disa reparte janë më keq se të tjerat por theksin e vë te reparti i ortopedisë i cili për 365 ditë funksionon me vetëm tre mjekë.

“Resurset njerëzore ka një kohë që paraqesin problem në organizimin e punës sidomos në disa njësi si në repartin e ortopedisë, infektologjia repart në të cilin kemi probleme jashtëzakonisht serioze me mungesën e kuadrove specialistike. Urgjenca është një problem kronik, poashtu gjinekologjia në të cilin mosha mesatare është mbi 60 dhe sivjet pensionohen dy në fund të vitit të ardhshëm edhe dy dhe është një situatë që po nuk reaguam do të paraqet problem të madh për menaxhimin e institucioneve shëndetësore”, thotë Dreshaj për KALLXO.com.

Dreshaj thotë se nëse situata nuk ndryshon shumë shpejtë do të bëhet edhe mbyllja e reparteve në këtë spital.

Nga ana tjetër shefi i repartit të Gjinekologjisë Ramadan Dacaj, i cili pas dy muajve do të pensionohet, thotë reparti i gjinekologjisë ka nevojë për të pasur staf në mënyrë që të mbulohen kërkesat e gjithë regjionit të Pejës.

“Në repartet klinike përpos punës shkencore duhet edhe përvojë e gjerë kështu që në katër apo pesë vitet e ardhshme do të kemi një deficit sa i përket kuadrit në mjekë“, tha Dacaj.

Përveç doktorit Dacaj në pensionim do të shkoj edhe doktor Ibrahim Rexhaj, i cili që nga vitet e 80-ta ka qenë pjesë  e mantelbardhëve të këtij spitali.

Rexhaj tha për KALLXO.com se ndjehet keq të mendoj se Reparti i Gjinekologjisë do të ketë deficit të mjekëve kur dihet se ky repart ka qenë referencë për Pejën me rrethinë.

Nga ana tjetër Ministria e Shëndetësisë thotë të jetë në dijeni për vështirësitë me të cilat përballet Spitali i Pejës.

“MSH dhe SHSKUK kanë kërkuar që për vitin 2019 në SHSKUK dhe njësitë e saj të lejohet punësimi i mbi 200 profesionistëve shëndetësor, prej të cilëve shumica specialistë. Pas miratimi të buxhetit kanë nisur edhe procedurat për rekrutimin e profesionistëve sipas nevojave që i kanë institucionet”, thotë MSH.

Ministria e Shëndetësisë thotë se specialistët do të mund të punësoheshin më herët sikur disa prej tyre të kishin pranuar të punësohen edhe jashtë QKUK-së.

Sipas Ministrisë për Spitalin e Pejës është shpallur konkursi për pranim të 15 specialistëve të profileve të ndryshme, në bazë të kërkesave të spitalit, përfshirë edhe për gjinekologji me obstetrikë.