Vendi ku humbi jetën punëtori 22-vjeçar - Foto: KALLXO.com

(VIDEO) Si ndodhi vdekja e 22 vjeçarit në punë?

Shiriti që barte qymyrin në fabrikën e ‘Lab-Oil’ i mori jetën 22 vjeçarit nga Mushtishti i Suharekës.

Kolegu i të ndjerit  tregoi se si e gjeti Krenar Jeminin në momentin tragjik.

Sipas tij, shiriti ia kishte nxënë duart të ndjerit derisa punëtorët e kishin nxjerrë nga aty.

Tashmë Prokuroria Themelore e Prishtinës ka nisur hetimet për vdekjen e cila po cilësohet si e dyshimtë.

Për të parë se çfarë ndodhi dhe si ndodhi, gjatë ditës së sotme në inspektim doli edhe Kryeinspektori i Punës, Basri Ibrahimi.

“Kam ardhur personalisht edhe dje e kam vizatuar personalisht vend punishten për të parë se ku ka ndodhë dhe çka ka ndodhë. Dje nuk na kanë lanë me hy sepse edhe nga komunikimi me telefon që kemi pasur më kanë thënë se nuk janë askush këtu dhe është vendi i mbyllur. Unë sot kam dashtë me vërtetu se a janë të verteta këto fjalë, dhe ju sot e patë se si është situata”, tha ai.


Dje, KALLXO.com raportoi se si Kryeinspektorit të Punës iu mohua hyrja në objektin e “Lab- Oil”.

Ai tha se i kishte besuar arsyetimit të pronarit kur foli në telefon lidhur me moshapjen e deërs, andaj edhe nuk thirri policinë për të hyrë në punishten e fabrikës.

“Sikur ne të kishim dyshuar se nuk po don me hapë derën, atëherë sigurisht se do ta kishim thirrë policinë, por ne kemi besuar në fjalët e zyrtarëve që ata nuk kanë qenë këtu, kanë qenë në varrim”, shtoi ai.

Ai ka treguar se ndalesa që iu bë nga pronarët nuk lidhet me fshehjen e gjurmëve në këtë vend.

“Për fshehjen e gjurmëve as që bëhej fjalë, sepse një ditë më parë, ditën kur ka ndodhur aksidenti, ka qenë Inspektori, Policia dhe Prokuroria. Do të thotë, ato dëshmi që kanë pasur me i mbledhë në vendin e ngjarjes, i kanë pasur të gjitha. Unë kam dashur ta vërtetoj a kanë qenë këtu dhe a kanë dashtë mos ta lejojnë Inspektoratin me hy në vendin e punës”

Për rastin tragjik të së dielës ka folur edhe drejtori menaxhues në ‘Lap-Oil”, Bislim Muqaj

“Ky ka qenë një aksident me fatalitet për fat të keq në raportin e fabrikës tonë, te shiriti transportues siç e keni parë edhe vetë vendin, kjo vërtetohet lehtë sepse organet e hetuesisë i kanë mbledhur të gjitha materialet e nevojshme. Ne i kemi edhe kamerat e sigurisë dhe aty shihet qartë”, tha ai.

Muqaj tha se ish-punëtori ka qenë i pajisur me kontratë të punës dhe se të gjitha dokumentet ia kanë dorëzuar organeve të hetuesisë.

“Është i pajisur me kontratë dhe ekzistojnë të gjitha vendimet që i ka marrë Inspektorati i Punës, kontrata e re dhe kontrata e vjetër të gjitha. Punëtori ka rol vetëm të shikojë jo të ndërhyjë aty.”

Ai ka folur edhe për ndalesën që ju bë gjatë ditës së djeshme, Kryeinspektorit Basri Ibrahimi tek hyrja e punishtës. Sipas Muqajt e gjithë situata e krijuar dje ka qenë një keqkuptim.

“Nuk e kemi ndalur Inspektoratin, këtu ka ndodhur një keqkuptim, ne dje e kemi shpallë ditë zie dhe ditë pushimi për të gjithë punonjësit në shenjë të nderimit dhe respektit për Krenarin”, tha ai.

Tutje, ai njoftoi se askush nuk ka qenë brenda fabrikës për t’ia hapur dyert Kryeinspektorit.

“Ne nuk kemi pasur kurrfarë paralajmërimi që do të vijë inspektorati prandaj jemi shkuar në Suharekë, nuk kemi qenë këtu dhe nuk ka pasur kush të ia hap derën. Sepse s’kemi çfarë të fshehim.”

Gjatë vitit të kaluar në vendin e punës kanë vdekur gjithsej 22 persona, ndërsa ky është rasti i parë për vitin 2019.