VIDEO: Shpërthejnë ujërat e zeza në oborrin e QKUK-së

Në oborrin e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) ka shpërthyer një gyp i kanalizimit dhe si pasojë oborri dhe rruga ”Shkupi” janë vërshuar nga ujërat e zeza.

Si rezultat, qytetarët po ankohen pasi që po kanë vështirësi për të kaluar në këtë pjesë të kryeqytetit.

“Uji është shumë i madh, po e shihni edhe vetë. Katastrofë. Fëmijët po kalojnë, po shkojnë në shkollë. Edhe unë vet s’po mundem me kalu. Po e shihni qysh është rruga. Qitu e kam afër shtëpinë. Katastrofë është krejt. Ishalla na ndihmon dikush, me ndreq diçka. Se shumë ujë a po e shihni? Katastrofë. Jo, kurrkush s’ka qenë. Nuk po di valla kanalizim a çka është, veç këndej po kaloj për me shku në shtëpi, nuk po muj me shku. Ishalla del dikush edhe na ndihmon edhe e ndreq qito”, thotë Vjollca Kadriu, e cila banon në këtë pjesë të qytetit.

Muhamet Kerrolli është një tjetër qytetar që jeton në afërsi të rrugës “Shkupi”.

Ai thotë që tash është java e tretë që po përballen me këtë problem, ndërsa thekson se ujërat e zeza dhe era që kundërmon e ka pamundësuar qarkullimin nga ajo pjesë e rrugës.

“Kjo është rruga e “Shkupit”, që 3 javë ditë janë ujërat e zeza, kalojnë me fëmijë shkollorë, me parashkollor, me të vjetër. Nuk ka qysh kalohet asajde prej ujërave, mbeturinave. Kurrkush nuk po intervenon, që e treta javë. Kanalizimi dhe ujërat e zeza se qaty ndihet edhe era, edhe ngjyra, nuk kalohet asajde. Jo nuk është puna e Spitalit, ajo është e Komunës. Se ata thonë aty te parkingu, kanalizimi kryesor është blloku, e tash po shkojnë në qendër të spitalit, e prej atjehit në spitalin e ri e kah Spitali Amerikan, asajde nuk kalohet në këmbë, kurrqysh hiç”, ka thënë Kerrolli.

Ndërsa Arjeta Mjeku, zëdhënëse e “KRU Prishtina”, ka thënë se problemi daton që 14 ditë.

Sipas saj, pusetat janë mbuluar nga pakujdesia e kompanive të ndryshme, ndërsa që 11 ditë po punohet për të zhbllokuar ato.

“Ekipet e mirëmbajtjes së rrjetit të ujërave bashkë me menaxheren e tyre që 11 ditë janë vazhdimisht duke u marrë me rastin. Pusetat aty janë të mbuluara nga pakujdesitë e kompanive të ndryshme. Janë mbuluar më gjësende të cilat asnjëherë nuk guxohet të veprohet ashtu”, ka thënë Mjeku.

Zëdhënësja e Ujësjellësit gjithashtu ka treguar se janë zhbllokuar pusetat dhe sistemi i kanalizimit ka filluar të jetë funksional.

“Ekipet tona kanë bërë detektim detajor në tentim për gjetjen e pusetave për 11 ditë rresht, dhe me në fund sot është gjetur problemi te Rrethi i Flamurit, me ç’rast i kemi pastru, deblloku dhe prej sot sistemi i kanalizimit është funksional”, ka thënë ajo.