Shpend Maxhuni - Foto: KALLXO.com

VIDEO: Shpend Maxhuni përballet me deputetët për ‘gulenistët’

Rreth tri orë ka zgjatur marrja në pyetje e ish-drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni, nga komisioni hetimor parlamentar rreth deportimit të 6 shtetasve turq në mars të këtij viti.

Intervista me tashmë shefin e Agjencisë Kosovare të Inteligjencës është mbajtur pa praninë e mediave dhe publikut.

Gjatë kohës sa po merrej në pyetje Maxhuni, gazetarët u detyruan të lëshojnë korridorin pasi që sipas zyrtarëve të Kuvendit ata po pamundësonin lëvizjen.

Pasi përfundimit të intervistës, Shpend Maxhuni u largua pa pranuar pyetje nga gazetarët.

Kryetari i Komisionit hetimor për deportimin e shtetasve turq, Xhelal Sveçla, tha se Shpend Maxhuni ishte ftuar të dëshmojë për atë çfarë di në lidhje me rastin.

“Mund të them me përgjegjësi të plotë se janë identifikuar një numër i madh i shkeljeve qoftë ligjore, qoftë procedurale, të cilat do të adresohen në raportin tonë si komision pastaj në seancën plenare kur do të mbahet kjo pikë”, tha Sveçla.

KALLXO.com ka pyetur kryetarin Sveçla nëse ftesë për të dëshmuar u është dërguar edhe presidentit Thaçi e kryeministrit Haradinaj.

“Jo ende nuk ka shkuar ftesa”, tha shkurt Sveçla.

Ai gjithashtu tregoi se deri më sot askush nuk ka refuzuar ftesën e komisionit për të raportuar dhe dëshmuar për ato që di në lidhje me deportimin e shtetasve turq nga Kosova për në Turqi.

“Deri më tash nuk kemi pasur refuzim, është e vërtetë se kemi mangësi në dokumentacion, e kam theksu edhe më herët. Përmes marrjes së materialeve, ne kemi kuptu që disa institucione nuk na kanë ofruar të gjithë dokumentacionin që e disponojnë përkundër kërkesës sonë specifike që ata në bazë të ligjit janë të obliguar të na dërgojnë të gjithë materialin”, tha deputeti i Vetëvendosjes.

Gjithashtu Sveçla u pyet edhe për ndryshimin e pozitave në institucione pas deportimit të shtetasve turq.

“Ka dyshime të bazuara që intenca ka qenë për të vështirësuar të vërtetën”, tha ai.

KALLXO.com kishte raportuar edhe në lidhje me intervistimin e tetë zyrtarëve policorë të cilët ishin marrë në pyetje nga i njëjti komision disa javë më parë për këtë rast.