(VIDEO) Shkolla multietnike në Graçanicë pa mësimdhënës në gjuhën shqipe

Dhjetë nxënës të komuniteteve shqiptarë dhe ashkali nga klasa e parë deri në të katërtën nga fshati Radevë i Komunës së Graçanicës, nuk kanë mbajtur orët mësimore në fillimin e vitit të ri shkollor.

Kjo pasi që në këtë  paralele ka disa ditë që  asnjë mësues nuk shkuar të vijojë procesin mësimor.

Në objektin e kësaj shkolle, e ndërtuar nga USAID-i, mësimin e zhvillojnë në klasa të ndara dhe me programe të ndryshme nxënësit shqiptarë, serbë dhe ashakali.

Qerim Qerkini, banor i këtij fshati thotë për KALLXO.com se që nga paslufta kanë pasur probleme që t’i sigurojnë mësuesit për paralelen në Radevë dhe transportin për nxënësit në klasën e pestë, të cilëve u duhet t’i vijojnë mësimet në Lipjan.

Ai shton se në këtë shkollë vijojnë mësimin 10 nxënës, pesë shqiptarë dhe pesë të komunitetit ashkali.

“Neve po na intereson përse vetëm fëmijët tonë  nuk po vijnë mësuesit për t’i mësuar. Kurse mësimi ka filluar të hënën. Qe dy ditë fëmija tonë vijnë e rrinë këtu, ndërsa këta të tjerët vijojnë mësimet”, thekson ai.

Qerkini thotë se shkolla është hapur në vitin 1978, ndërsa për 9 vjet para luftës është mbyllur nga bashkësia lokale serbe, e më pas mësimi u zhvillua në odë private, për t’u rihapur sërish pas mbarimit të luftës së fundit në Kosovë.

 “Tash pas luftës jemi kyçur në këtë shkollë, kurse sot po kemi probleme çdoherë, për nxënësit, për transport, mësuesit që nuk vijnë me i mësuar mësimet. Ashtu që kemi mbetur  as me Komunë të Lipjanit, as me Komunë të Graçanicës”, tha ai.

Ndërsa, Tefik Bajrami nga komuniteti ashkali thotë se dy vajzat e tij mësojnë në këtë shkollë dhe se mundësitë ekonomike ia pamundësojnë që fëmijët e tij t’i dërgojë në shkollën fillore të Lipjanit.

“Me të thënë të drejtën dy vajza i kam këtu në shkollë që mësojnë tjetrin vit i kam dhe dy djem që janë në rend me hy në shkollë. Shumë kushtet e dobëta i kemi, unë besom që s’po mund të përballem këtu me i pru dhe kam dëgjuar që prej të parës klasë deri në të  pestën duhet me i çu në Lipjan”, tha ai për KALLXO.com.

Bajrami shton se nuk kanë probleme në bashkëjetesën me shqiptarët dhe serbët në këtë fshat dhe ka pasur dëshirë që fëmijët e tij të mësojnë në gjuhën shqipe.

Ndërkaq, Rasim Hasani drejtor i Arsimit në Komunën e Lipjanit, tha për KALLXO.com se nuk kanë mundësi që të menaxhojnë këtë paralele mësimore, pasi tashmë kjo është në kompentencën e Komunës së Graçanicës.

“Problemi i Radevës është i kamotshëm që kërkon angazhimin e institucioneve relevante, jo vetëm tonën si Komunë e Lipjanit. Sipas ligjeve aktuale të shtetit të Kosovës, Komuna është përgjegjëse për sigurimin, menaxhimin e mësuesve dhe nxënësve. Me decentralizim, Radeva ka mbetur në Komunën e Graçanicës. Në aspektin ligjor ne kemi telashe me atë paralele. Ndërsa në aspektin moral e kemi mbështetur deri tash”, tha ai.

Hasani shtoi se kanë kërkuar nga Komuna e Graçanicës që të bashkëpunojnë për këtë çështje, por që sipas tij ata nuk kanë shprehur gatishmëri.

“Problemi qëndron se Graçanica në asnjë rast nuk e ka treguar vullnetin më të vogël për me  gjet zgjidhje për fëmijët e komunitetit shqiptar në atë vend. Në shkresën e fundit na kanë kthyer përgjigje dhe kanë thënë që nuk kanë buxhet me marr në menaxhim paralelen e Radevës. Çka do të ndodhë tash me ata nuk e di, por besoj që duhet të angazhohen edhe Komuna e Graçanicës dhe Ministria e Arsimit”, tha drejtori i Arsimit në këtë komunë.

Pa kompetencë për të marrë një vendim lidhur me fatin e nxënësve shqiptarë dhe ashakali në shkollën e Radevës, po shprehet edhe Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT).

Sekretari i Përgjithshëm në Ministrinë e Arsimit, Ekrem Kastrati tha për KALLXO.com se kompetente për mbajtjen e mësimit në këtë shkollë janë komunat përkatëse.

 “U takon komunave, të Graçanicës dhe Lipjanit të merren vesh në mes vete për mbarëvajtjen e procesit mësimor në atë shkollë. Është aktivitet i DKA-ve të këtyre komunave. Procesi mësimor është e drejtë ekzekutive e komunave, ne mund të ndërhyjmë vetëm kur e bëjmë hartimin e buxhetit, me kërkesë të tyre”, tha Kastrati.

KALLXO.com ka kërkuar qëndrim edhe nga Komuna e Graçanicës, por të njëjtit nuk janë përgjigjur .