Uji në FSHMN - Foto: KALLXO.com

VIDEO: Shiu shkakton dëme të mëdha në Fakultetin e Shkencave Matematike- Natyrore

Shiu i rrëmbyeshëm që ra mbrëmë dhe që vazhdoi edhe sot ka shkaktuar dëme të mëdha në Fakultetin e Shkencave Matematike-Natyrore të Universitetit të Prishtinës.

Korridoret, sallat e ligjëratave, kabinetet për studentë dhe profesorë, janë vërshuar nga uji, i cili po vazhdon të rrjedhë nga tavani.

Prorektorja për buxhet dhe financa, Myrvete Badivuku, thotë se shkaktari i dëmtimit të inventarit të FShMN-së është uji, i cili ka depërtuar në tavanin e objektit për shkak se kulmi është gjysmë i hapur, meqë aty po kryhen renovime.

Badivuku thotë se sot kanë angazhuar një kompani, e cila do ta vlerësojë dëmin e shkaktuar.

“Kulmi ka qenë i hapur sepse kanë qenë duke u zhvillu punimet në renovimin e kulmit, faktikisht hidroizolimin e kulmit, në bazë të kërkesës së dy njësive akademike, të parashtruara kohë më parë”, ka thënë Badivuku.

Studentja Dafina Sylaj thotë se përmes fotografive të cilat i kanë shpërndarë kolegët e saj, ajo është informuar që Fakulteti pothuajse është vërshuar plotësisht.

“Ne veçse i kemi bë krejt kërkesat e mundshme që me e ndërtu një objekt të ri, derisa tash kemi pas nevojë për kushte të mjaftueshme për punë shkencore, tash kemi nevojë për një fakultet që të paktën e ka një kulm”, thotë studentja.

Biseda me studenten Dafina Sylaj është bërë në katin e dytë të ndërtesës dhe gjatë kësaj kohe ajo mban në duar çadrën për të penguar ujin e shiut që binte rrëke.

Dekani i Fakultetit të Shkencave Matematike-Natyrore, Tahir Arbneshi tha për KALLXO.com se mbrëmë është informuar se shiu ka filluar të depërtojë brenda ndërtesës.

Ai thotë se Rektorati ka kontaktuar me punëkryesit e çatisë së këtij fakulteti dhe se u është thënë se po ndërmerren masat e nevojshme për ndalimin e depërtimit të shiut.

“Dëmtimet janë të konsiderueshme, kemi probleme me serverin, është dashtë të ndërpresim rrymën, nuk kemi mujtë me pranu aplikacione për studentë por studentët nuk kanë nevojë të brengosen sepse afatin do ta shtyjmë ose do ta bëjmë një zgjedhje alternative në mënyrë që ata të mos mbesin pa aplikuar”, deklaroi Arbneshi.

Ai shtoi se gjatë ditës studentët dhe personeli janë bartur nëpër salla dhe kabinete të sigurta.