Foto: Kallxo.com

VIDEO - Rrëfehen familjarët e policit të vrarë, Izet Demaj

Edhe një ditë pas vrasjes së policit Izet Demaj nga një person i dyshuari i cili kishte tentuar të kryente një grabitje në një bankë në Istog, vendi ku ka ndodhur ngjarja ende ka vazhduar të jetë i bllokuar nga zyrtarë të Policisë së Kosovës.

Ekipi i KALLXO.com ka qëndruar gjatë ditës në vendin ku dje është vrarë polici Izet Demaj e më pastaj edhe personi i cili dyshohet se kishte tentuar të grabiste një bankë në Istog.

Qytetarët të cilët e kishin parë këtë ngjarje kishin mbetur ende të tronditur nga ky rast. Secili nga ta tregonin versionet e veta se si kishte ndodhur ngjarja.

Haki Haskaj i cili kishte mbërritur në vendin e ngjarjes 10 minuta pasi kishte ndodhur ngjarja ka treguar se sa rendë është përjetuar kjo ngjarje.

“Unë ngjarjen e kam parë masi veç ka përfundu, e kam pa përmes mediave elektronike që diçka ka ndodhë dhe kam ardh pas 10- 15 minutave. E kemi përjetuar shumë rëndë, në përgjithësi Komunë e Istogut, njerëz që nga mbrëmë deri vonë kemi qenë duke i përcjellë lajmet, duke I parë video incizimet, një ngjarje shumë tragjike shumë e rëndë e pa besueshme”, thotë Haskaj.

Ai ka treguar edhe çfarë ka parë kur ka arritur në vendin e ngjarjes.

“E kam pa atë grabitësin të shtrirë në mes të rrugës, ju shike bomba që e ka pas aty, paratë në një thes që i kishte marrë, ngjarje e rëndë ngjarje trishtuese”, ka treguar Haskaj.

Familja Demaj nga fshati Vrellë e Istogut gjatë ditës së sotme kishte hapur të pamën për policin i cili u vra në detyrë.

Djali i axhës së Izetit, Bekim Demaj, ka treguar për KALLXO.com se si janë informuar familja për vrasjen e Izet Demajt.

“Fillimisht e kam marrë një telefonatë prej një kushëriri tim dhe më ka pyetur a ka diçka të re në Vrellë. Unë nuk kisha ndëgju diçka, meqenëse pesë minuta me herët edhe unë isha aty ku ka ndodhur ngjarja por pastaj pas një telefonate dëgjuam që është i plagosur duke u përballë me një kriminel në bankë”, ka treguar Demaj.

Pasi kishte dëgjuar për Izetin, ai ishte nisur drejt Spitalit të Pejës.

“Kemi shku në spital kur kemi mbërri e kemi pa që gjithçka ka përfunduar, ka ndërruar jetë Izeti, nga plumbat që ka marrë, nga personi i cili edhe ka mbeturi i vrarë nga Policia e Kosovës”, thotë Demaj.

Ai ka treguar se Izet Demaj ka qenë pjesëtar i Policisë së Kosovës për më shumë se 15 vite, dhe pjesëtar i UÇK-së në brigadën 138 në Koshare.

“Izeti ka qenë diku 15 vite ose më tepër pjesëtar i Policisë së Kosovës. Më herët ka qenë gjatë luftës ka qenë pjesëtar i Brigadës Agim Ramadani, në Koshare, shoqërues i komandantit Rrustem Berisha, tërë kohën ka qenë në luftë dhe është përballur me rreziqe, se e gjanë kjo në liri  nuk e kemi pritë”, tregon Demaj.

Izet Demaj, 42 vjeçar pjesëtar i Policisë së Kosovës është vrarë dje gjatë një grabitjeje të armatosur në Istog. Ai në përpjekje për t’i arrestuar hajdutët, në mbrojtje të qytetarëve dhe të të punësuarve që u morën peng në një filiale të bankës NLB në Istog, pas plagëve të marra  nga arma e zjarrit vdiq, ku u vra edhe grabitësi  i bankës.

Në nderim të policitë të vrarë, Izet Demaj, të shtunën në Kosovë do të jetë ditë zie, kurse Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që të ndajë një shumë simbolike, prej 15 mijë eurosh për familjen e tij.