Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj - Foto: KALLXO.com

VIDEO: Rashit Qalaj flet për ndryshimet dhe orët e shtrenjta në Polici

Në një intervistë për KALLXO.com, Rashit Qalaj ka folur për synimet e tij kryesore gjatë mandatit të tij si drejtor i përgjithshëm i Policisë së Kosovës.

Si prioritet tha se do të jetë rritja e disiplinës së brendshme për të gjitha nivelet në Policinë e Kosovës, rritja e integritetit, luftimi i pakompromis i krimit të organizuar dhe korrupsionit si dhe të gjitha llojet e krimeve të organizuara që vijnë qoftë nga globalizimi, siç janë krimet  kibernetike e kështu me radhë, e po ashtu edhe llojet e trafikimeve të drogave, të njerëzve, etj.

Në këtë intervistë, Qalaj ka folur për ndryshimin e strukturave të njerëzve të cilët punojnë në hetime.

Ai thotë se do të fillojë një analizë e strukturës së përgjithshme të Policisë së Kosovës.

“Në Policinë e Kosovës ne do të fillojmë me analizën e strukturës së përgjithshme të Policisë  meqenëse unë konsideroj se kemi një koncentrim mjaft të madh të njerëzve në shtabin qendror”, thotë Qalaj.

Kreu i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, vitin e kaluar në një deklaratë për një medium, kishte vënë në dyshim prejardhjen e orëve të shtrenjta dhe makinave të cilat i posedojnë zyrtarë të Policisë.

I pyetur për deklaratën e Veselit, drejtori i Policisë thotë se kjo pjesë i takon integritetit të Policisë së Kosovës.

“Unë e kam dëgjuar që jo vetëm kryeparlamentari, por edhe deputetet e tjerë kanë pasur këto akuza. Unë thashë që një nga synimet e mia do të jetë rritja e integriteti dhe integriteti i përfshinë edhe këto”, tha ai.

Qalaj thotë se gjatë mandatit të tij do ta ketë si prioritet edhe luftimin e korrupsionit nga zyrtarët për krime ekonomike.

“Ky vend ka shumë nevojë që të luftohet krimi ekonomik dhe kjo do të jetë njëra nga prioritetet e mia kryesore që zyrtarët e krimeve ekonomike dhe të gjithë policët e Kosovës të luftojnë këtë dukuri pra të gjitha dukuritë kriminale që paraqiten në fushën e krimit ekonomik”, shprehet Qalaj.

I pyetur nga KALLXO.com për policët në veriun e vendit, ku përflitet për tolerim të kontrabandës, ai thotë se gjendja në veri është shumë më mirë se që ka qenë gjatë vitit 2013, por do të kërkohet llogari dhe nuk do të lejohet që asnjë vepër e zyrtarëve policorë të bie ndesh më ligjin.

“Ka qenë një diskrepancë në veri meqenëse në të kaluarën edhe kontakti ka qenë më i vogël, nuk kanë pasur trajnime të duhura dhe nuk kanë pasur mbështetjen e duhur, por normal se tani do t’i mbështesim vazhdimisht por edhe do të kërkohet llogaridhënia sepse nuk lejohet asnjë vepër e asnjë zyrtari policor pavarësisht se ku punon e që bie ndesh me ligjin”, thotë Qalaj.

Në intervistën dhënë për KALLXO.com, drejtori i ri i Policisë, ka komentuar edhe arrestimin e rreth 50 policëve të cilët ishin përfshirë në korrupsion.

Sipas Qalajt, Inspektorati Policor i Kosovës ka bërë një punë të mrekullueshme në këtë drejtim.

“Me thënë të drejtën unë jam njëri nga eprorët e Policisë së Kosovës që e ka mbështetur operacionin e Inspektoratit Policorë të Kosovës, meqenëse konsideroj se Inspektorati ka bërë një punë të mrekullueshme të këtë drejtim. IPK-në e konsideroj si institucionin që e mbështet zhvillimin e Policisë së Kosovës, me rastin e hetimeve dhe rastin e gjetjes së këtyre veprave kriminale që janë gjetur”, thotë Qalaj.

Ai thotë se Policia fillimisht duhet të pastrojë vetveten në mënyrë që të jenë të gatshëm për luftimin e veprave kriminale në shoqëri.

“Do të jemi të pakompromis në çdo shkelje ndaj çdo vepre nga zyrtarët policorë. Ne fillimisht duhet ta pastrojmë vetveten, duhet të kemi një integritet shumë të madh e pastaj të kemi gatishmërinë që të luftojmë të gjitha veprat penale që paraqiten në shoqëri”, tha Qalaj.

Në shumicën e rasteve, veturat e Policisë nuk janë të sigurta për vozitje

Për ankesat e zyrtarëve policorë rreth gjendjes së veturave zyrtare të policisë , Qalaj thotë se në shumicën e rasteve këto vetura nuk janë të sigurta për vozitje.

“Policia e Kosovës disponon një numër të caktuar të automjeteve dhe numri i tyre është mjaft i madh, mirëpo gjendja faktike është pak më ndryshe meqenëse shumica e këtyre veturave janë të vjetra dhe kanë shumë kilometra të kaluara dhe mund të them që në shumicën e rasteve nuk janë të sigurta për vozitje”, thotë Qalaj.

Ai shtoi se me mbështetjen e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe  Ministrisë së Financave do të blejnë vetura në mënyrë që të mbështesin zyrtarët policorë në terren.

Por, Qalaj thotë prioritet për pajisje me vetura të reja do të ketë shërbimi në ndërrime e jo komandantët dhe mbikëqyrësit.

“Është prioriteti i imi që sidomos policët që i kemi në stacionet policore t’i mbështesim me veturat e reja, e jo komandantët dhe mbikëqyrësit t’i marrin veturat e reja, por prioritet do të ketë  shërbimi në ndërrime në stacione policore, qoftë me vetura, qoftë me pajisje të tjera të domosdoshme për punën e policit në terren”, thotë Qalaj.

I pyetur nga KALLXO.com  nëse është e lejuar që zyrtarët policorë ta kenë në posedim 24 orë veturën zyrtare, Qalaj thotë se në bazë të një udhëzimi ata kanë të drejtë të posedojnë veturë por për raste të caktuara.

“Në fakt ne kemi një udhëzim në lidhje me posedimin e veturave që ne e quajmë në thirrje dhe jo vetëm komandantët e stacioneve por edhe shërbimet tjera që e posedojnë veturën në thirrje, por vetura në thirrje nuk nënkupton veturën për transport, nuk nënkupton se vetura duhet të përdoret për qëllime private mirëpo vetura në thirrje nënkupton që individi që e udhëheqë një stacion të jetë në gjendje të përgjigjet në rast nëse ndodhë jashtë orarit të punës”,  shprehet Qalaj.

Në rast të keqpërdorimit, Qalaj thotë se do të merren masa serioze.

“Në rast të keqpërdorimit absolutisht do të merremi shumë seriozisht, në mënyrë që kjo të ndërpritet dhe pasojat do të jenë mjaft të mëdha për secilin”, thotë Qalaj.

https://kallxo.com/gruaja-e-komandantit-vozitet-me-veture-te-policise/

Në këtë intervistë drejtori i Policisë ka folur edhe për reagimin e Policisë në rastin e vrasjes në fshatin Brekoc të Gjakovës dhe vrasja e dytë e cila ndodhi po ashtu në rajonin e Gjakovës ku një grua 61 vjeçare u vra nga bashkëshorti i saj, rast ky i cili nga Policia fillimisht u trajtua si vrasje aksidentale, por dy ditë më pas është rikualifikuar nga prokuroria si një vrasje e rëndë.

“Ato raste janë duke u hetuar. Unë e di që Departamenti i Krimit është duke i hetuar dhe do ta mbështesë Departamentin e Krimit që hetimi të jetë sa më efikas në mënyrë që të kemi një rezultat dhe secili që është përgjegjës në çfarëdo roli që ka pasur do ta merr dënimin e merituar”, tha Qalaj.

Qalaj  në intervistë për KALLXO.com foli edhe për ndërrimin e komandantëve dhe eprorëve në rajonet e Policisë duke përfshirë edhe policinë kufitare të Kosovës.

Sipas Qalajt është e pakuptimtë që një epror të qëndrojë një kohë të gjatë në një pozitë.

“Është e pakuptimtë që një njeri në çfarëdo pozite, qoftë ai të qëndrojë në një kohë të gjatë në pozitë, pasi kur qëndron një kohë të gjatë nuk ke çfarë të japësh aq shumë, mirëpo policia gjithmonë është dinamike dhe ka nevojë për ndryshime pozitive, mirëpo në asnjë moment nuk do të merrem me individ por me rezultatin e çdo eprori që e kemi në Policinë e Kosovës” tha Qalaj.

Shumë policë nuk mund të shfrytëzohen për shkak të moshës

Qalaj ka përmendur edhe pensionimin e parakohshëm për Policinë e Kosovës.

Sipas Qalajt shumë policë nuk mund të shfrytëzohen për shkak të moshës dhe sëmundjeve të ndryshme.

“Për nga mosha, Policia e Kosovës është mjaft e vjetër, nëse nuk gaboj mosha mesatare është afërsisht 45 dhe për një forcë policore kjo moshë është mjaft e madhe. Nëse i shtojmë edhe pasojat që vijnë si shkak i moshës dhe sëmundjet e ndryshme ne si numër i përgjithshëm kemi numër mjaft të madh të policëve por për punë operacionale një numër i konsiderueshëm nuk mund të shfrytëzohet për shkak të moshës dhe sëmundjeve të ndryshme”, thotë Qalaj.

Ai shpreson se do të kenë mbështetjen e Qeverisë për draft ligjin për pensionimin e parakohshëm të policisë edhe pse buxheti është i limituar. Qalaj thotë se pensionimi do të krijojë kushtet edhe për rekrutim të kadetëve të rinj.

“Të gjithë e dimë që puna policore është specifike dhe është e papranueshme që polici të mos ketë sigurim shëndetësor, edhe në këtë domen do të bëjmë përpjekje me ministrinë e punëve të brendshme dhe me qeverinë se di të bëjmë një zgjedhje nëse nuk bëhet për të gjitha institucionet së paku të keni një zgjedhje alternative me një kompani private apo diçka tjetër me qenë se nuk guxojmë që policët ti lëmë pa sigurim. Nuk flasim për afate, këto punë rregullohen në mënyrë institucionale” përfundon Qalaj.

Rashit Qalaj është emëruar drejtor i përgjithshëm i Policisë së Kosovës dy javë më parë nga kryeministri Ramush Haradinaj.

Qalaj ishte bërë pjesë e Policisë së Kosovës gjatë vitit 2000.

Ai ka shërbyer në stacionin policor në Lipjan, duke vazhduar më pas në atë të Ferizajt, ku ka mbajtur pozitën e komandantit.

Qalaj në maj të vitit 2005 kishte marr pozitën e shefit të Operativës Rajonale në Ferizaj.

Nga viti 2011, Qalaj angazhimin e tij ka vazhduar në Stacionin Rajonal në Prishtinë.

Para marrjes së detyrës së drejtorit të përgjithshëm i Policisë, Qalaj ishte në pozitën e drejtorit të Departamentit për Operacione në Drejtorinë e Përgjithshme në Prishtinë.