Ajri i ndotur në Prishtinë- Foto: KALLXO.com
VIDEO- Qytetarët Tregojnë nga Kush Ndotet Ambienti
Në disa video të dërguara në KALLXO.com, shihen oxhaqet e shtëpive të ndryshme nga të cilët del tym i dendur, duke ndotur ajrin në ambientin përreth.
Qytetarët e kryeqytetit dhe të Fushë-Kosovës ankohen se po u vështirësohet jeta nga tymi që sipas tyre shkaktohet nga djegia e qymyrit nga fqinjët e tyre.
Ministria e Ambientit dhe Komuna e Prishtinës sot pasdite treguan edhe planin se si do të veprohet në lidhje me ndotësit e ajrit.
Sipas nënkryetarit të Komunës së Prishtinës, Selim Pacolli, ndalimi i shitjes së lëndëve djegëse do të jetë një ndër masat që do të ndërmerren për të stabilizuar gjendjen e ajrit. Po ashtu, nga e mërkura në mëngjes do të ndalohet hyrja e veturave në kryeqytet.
Ndotja e ajrit në Prishtinë është bërë temë preokupimi për qytetarët dhe institucionet meqë matjet e ditëve të fundit e rendisin kryeqytetin në nivelin e “rrezikshmërisë së lartë” për shëndetin.
Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka dalë me disa këshilla për qytetarët se si të mbrohen nga ekspozimi në ajër të ndotur, sidomos në orët kur ndotja arrin shkallën më të lartë.
Nga sot, KALLXO.com do t’i publikojë fotografitë e dërguara nga qytetarët në të cilat dëshmohet përdorimi i qymyrit për ngrohje nëpër institucione, biznese apo shtëpi private.