VIDEO - Prokuroria në Gjilan në ndjekje të shantazhit ndaj mjekut

Në nëntor të këtij viti, Prokuroria Themelore në Gjilan kishte marrë një infomacion se një doktor po shantazhohej nga dy persona.

Një video incizim ishte pikënisja e një shantazhi ndaj një doktori në Komunën e Gjilanit.

Një grua kishte shkruar të kontrollohej te një doktor, e më pas të njëjtin e kishte akuzuar se e kishte prekur në vende intime.

Për gjithë këtë e njëjta i kishte thënë doktorit se posedon një video incizim të cilën do t’ia publikonte nëse nuk i jepte një shumë parash prej 5 mijë eurove.

Prokurori Arben Ismajli kishte filluar ndërmarrjen e masave pas informacionit nga ku, i gjithë rasti përfundoi me tre të prangosur.

Para kamerës së Drejtësia në Kosovë, Prokurori Arben Ismajli ka shpjeguar se si kishin marrë informacionin.

“Kemi pranuar një ankesë nga një qytetar se dy persona po e shantazhojnë. Nga i njëjti kanë kërkuar një shumë të të hollave për të mos u publiikuar një videoincizim”, tha prokurori Ismajli.

Ismajli për Drejtësia në Kosovë tregon edhe për masat e fshehta të cilat janë përdorur në rast.

“Ne kemi paraqitur edhe kërkesën pranë gjyqtarit të procedurës paraprake, për zbatimin e masave të fshehta të përgjimit të telekomunikimeve dhe masat e video incizimet e videove publike si dhe vëzhgimin e fshehtë”, tha prokurori  Ismajli më tutje.

Deri sa prokurori qëndronte në zyrën e tij dhe vëzhgonte dokumentacionin e rastit, ai në anën tjetër priste nga zyrtarët policor thirrjen se personat e dyshuar ishin vendosur në lokacionin për të cilin ishin marrë vesh.

Në lokacionin e dyshuar, doktori do t’i jepte pjesën e dytë të parave të kërkuara nga dy të dyshuarit.