VIDEO - Policia në aksion për kontroll të autobusëve

Në bashkëpunim me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Transportit, Policia e Kosovës me njësitë e saj në Prishtinë ka filluar implementimin planin operativ për kontrollin e transportit publik të udhëtarëve.

Në kuadër të këtij plani operativ, zyrtarët policorë po ndërmarrin masa ndëshkuese ndaj kundërvajtësve të cilit nuk posedojnë dokumentet e nevojshme gjatë operimit në transportin rrugor vendor dhe ndërkombëtar të udhëtarëve, siç parashihet me ligjin për transportin rrugor.

 

Togeri Qamil Behrami nga Policia e Kosovës shpjegon për KALLXO.com qëllimin e këtij plani.

“Qëllimi i këtij plani është ndalimi i taksistëve të cilët nuk posedojnë leje të punës, dhe transportuesit të cilët nuk e posedojnë rendin e udhëtimit, certifikatën apo lejen nga Ministria e Infrastrukturës Rrugore”, ka thënë Behrami.

Zyrtarët policorë të cilët janë të fokusuar në pika ku ka qarkullim të shtuar të autobusëve dhe taksive ilegal, i kontrollojnë ata edhe në raste kur ndalen të marrin udhëtar jashtë stacionit, dhe për të njëjtit shqiptojnë gjobë.

Gjatë ditës së parë, zyrtarët policorë kanë shqiptuar 33 fletëparaqitje për kundërvajtje, dhe kanë konfiskuar 2 mjete motorike

Togeri Behrami tregon se deri kur është paraparë të vazhdojë ky plan operativ.

“Ne kemi filluar prej datës 19 shkurt, do të vazhdojë dy javë pa ndërprerë, me mundësi vazhdimi edhe për javë të tjera”, u shpreh Behrami.

Behrami ka treguar edhe për konfiskimet që janë bërë gjatë ditës së parë të planit operativ.

“Ne dje kemi konfiskuar dy taksi ilegal të cilët janë takuar pa lejen që kanë të drejtë të operojnë , i kemi shqiptuar masën sipas ligjit dhe kemi konfiskuar automjetet e tyre”, ka thënë Behrami.