VIDEO - Plani i rikthimit të 110 kosovarëve nga Siria

Sonte në Emisionin “Drejtësia në Kosovë” u transmetuan ekskluzivisht detaje e dëshmi për 4 burrat, 32 gratë dhe 74 fëmijët të cilët pikërisht një javë më parë janë rikthyer nga zonat e konfliktit në Siri.

Koordinatori Nacional kundër Terrorizmit dhe Ekstremizmit, Fatos Makolli tregoi planin për rikthimin e kosovarëve.

“Siç e dini me 20 prill në orët e hershme të mëngjesit, Qeveria e republikës së Kosovës dhe institucionet e Kosovës me ndihmën e SHBA ka arrit që nga zonat e konfliktit në Siri të kthej në Kosovë 110 persona. 4 janë luftëtarë të huaj, 32 gra dhe 74 fëmijë duke përfshirë edhe 9 fëmijë jetim. Procesi i kthimit ka qenë i gjatë, institucionet e Kosovës kanë punuar për muaj të tërë dhe procesi ka arrit që të përfundohet në mënyrë të suksesshme me 20 prill”, tha ai.

Ai shtoi edhe se plani ishte përgatitur në vitin 2017.

“Institucionet e Kosovës kanë qenë të përgatitura, qysh me kohë. Në vitin 2017 kemi parashiku që një ditë luftëraët e huaj dhe familjarët kosovar mund të kthehen në Kosovë dhe ka mesi i vitit 2017 kemi përgatit një plan të detajuar sidomos planin e pjesës së parë i cili ka qenë i detajuar. Megjithëse që nuk kemi pasur njohuri që ka me kanë një kthim i koordinuar por ka ekzistuar gjithmonë dyshim i se ata mund të kthehen në forma të ndryshme, coftë ilegalisht por edhe në mënyrë të organizuar”, shtoi ai.

“Në tetor të vitit të kaluar me vendim të Kryeministrit është caktu një ekip ndërqeveritar i udhëhequr nga Abelard Tahiri dhe që nga kjo kohë ka fillu koha intensive për kthimin e qytetarëve kosovar. Kësaj i kanë prirë analiza të shumta dhe të detajuara dhe në fund grupi ka rekomanduar që të bëj pranimin e katër luftëtarëve të huaj kosovarë dhe familjeve të tyre”, tha ai.

Procesi i rikthimit është bërë në bashkëpunim me SHBA-të.

“I tërë procesi është kryer në një bashkëpunim nga SHBA por edhe nga anëtarët  të tjerë të koalicionit global kundër ISIS. Katër luftëtarët e huaj kanë qenë të burgosur ndërsa fëmijët dhe gratë kanë qenë në kampe refugjatësh në zonat e kontrolluara siriane. Institucionet e sigurisë në vazhdimësi i kanë përcjell aktivitetet e shtetasve kosovar në zonat e konfliktit dhe kanë arritur të grumbullojnë dëshmi relevante me aktivitetet e tyre”, tha Makolli.

Javën e kaluar në një aksion i cili mund të konsiderohet si një ndër aksionet më të mëdha antiterror në Kosovë, janë rikthyer 110 kosovar të cilët gjendeshin në zonat e konfliktit në Siri.

4 burra një nga ta i mitur, 32 gra e 74 fëmijë janë rikthyer me një aeroplan mesnatën e së premtes dhe të së shtunës.

Burrat janë arrestuar po atë natë dhe janë dërguar në mbajtje për 48 orë ku më pas i është caktuar masa e paraburgimit ndërsa gratë dhe fëmijët janë dërguar në Qendrën e Azilit në Vranidoll ku më pas janë mbajtur procese gjyqësore për caktimin e masë së sigurisë ndaj grave të rikthyera.

Nëntë nga fëmijët e rikthyer janë pa asnjërin prind.