VIDEO – Pamje të tmerrshme në toaletin e QMF-së në Fushë Kosovë

Një toalet në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Fushë Kosovë është parë në gjendje të rënduar për shkak të papastërtisë dhe dëmtimeve brenda hapësirës.

KALLXO.com ka siguruar fotografi dhe video të realizuara më 24 korrik nga ora 8 e 20 deri në orën 8 e 50.

 

Lidhur me këtë, KALLXO.com ka kontaktuar shefin e QKMF-së në këtë komunë, Remzi Shala, por ai ka thënë se për këtë çështje mund të përgjigjet shefi i shërbimeve teknike në shtëpinë e shëndetit.

“Është shefi i shërbimeve teknike për këto dhe mund të jap përgjigje”, ka thënë ai për KALLXO.com.

Ndërkaq, shefi i Administratës Teknike në QKMF-në e Fushë Kosovës, Safet Berisha tha se nuk ka qëndrim, duke shtuar se kjo është punë e inspektoratit dhe jo e gazetarëve.

“Atë punë e kqyrin inspektoriati e jo ju. Raportojini ju shqetësimet e qytetarëve qysh doni. Jo unë s’kam qëndrim. Dihet ajo, nuk është puna vetëm te toaletet. Ju hajdeni kqyrne organizimin me sy e jo me marr informata prej njerëzve jo-kompetentë. Kontaktojeni drejtorin e qendrës, besoj ju jep informacione”, tha ai për KALLXO.com.

Në anën tjetër, Komuna e Fushë Kosovës ka thënë për KALLXO.com, se janë në dijeni për gjendjen e toaleteve në QKMF-në e kësaj komune.

“Toaleti i fotografuar është toalet i cili përdoret nga pacientët e laboratorit (për mostrat e urinës). Jemi në dijeni që guaca është e dëmtuar. Për rregullimin (ndërrimin) e saj duhet të hiqen edhe pllakat e keramikës. Kjo punë është planifikuar në masat renovuese të cilat do të fillojnë pas përfundimit të procedurave. Ky toalet pastrohet rregullisht , por jo edhe pas shfrytëzimit nga secili pacient”, thuhet në përgjigjen e zëdhënësit të komunës, Ali Topalli.

Për këtë situatë, komuna ka fajësuar edhe pacientë të caktuar që sipas tyre janë treguar të papërgjegjshëm.

“Fluksi i pacientëve është shumë i madh dhe për pastrimin e toaletit duhet të pritet deri sa të lirohet sado pak. Me siguri edhe fotografia  është bërë brenda periudhës kur toaleti ka qenë vazhdimisht  në shfrytëzim. Më duhet të ju njoftoj se kemi pasur raste kur nga persona të pandërgjegjshëm, i tërë muri, në të dy hapësirat ka qenë i njollosur me jashtëqitje si dhe janë dëmtuar krojet e ujit”, vijon më tej përgjigjja.

Komuna më tej ka shtuar se punëtorët janë duke u angazhuar në maksimum në mirëmbajtjen e higjienës së hapësirave objekteve të QKMF-së dhe në të ardhmen do të angazhohen edhe më shumë që këto pamje të mos përsëriten.