Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, Foto. Kallxo.com

VIDEO - Ministri i Tregtisë shpjegon taksën 100 % ndaj Serbisë e Bosnjës

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala ka thënë se obligohen institucionet përkatëse që të ndalojnë hyrjen në Kosovës të të gjitha produkteve që në deklaracionin e tyre kanë emra që janë në kundërshtim me emrin kushtetues të Republikës së Kosovës.

“Nga sot obligohet Inspektorati i Tregut, Dogana e Kosovës, Inspektoratet komunale të tregut, Agjencionet që të largojnë nga tregu dhe po ashtu edhe importin e secilit produkt që tenton të importohen në Kosovës e që në deklaracionin e tij, emri zyrtar i Republikës së Kosovës është apo mund të jetë, importues, distributor, përfaqësues ‘Kosovo i Metohijo’, ‘Kosovo 1244’, ‘Kosovo i Me’, apo me emra të qyteteve dhe çdo emër tjetër që është në kundërshtim me emrin kushtetues të Republikës së Kosovës”, ka thënë ministri Shala në një konferencë, pas vendimit të Qeverisë për rritjen e taksës doganore në 100 % ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnjës dhe Hercegovinës.

Ministri Shala ka thënë se oblogohet Agjencioni i Ushqimit dhe Dogana që të zbatojnë masa të njëjta me Serbinë dhe Bosnjën për dokumentet dhe certifikatat e ushqimit që kërkohen gjatë të bërit tregti, ku hyjnë analizat e testimit, analizave laboratorike, certifikatat sanitare dhe ato që i referohen barkodit të Kosovës.

“Ju ftoj të gjithëve t’i bashkëngjiteni kauzës tonë për mirëqenie të qytetarëve. Kërkoj të fokusohemi edhe më shumë në cilësi, produktet vendore të arrijnë në cilësinë dhe standardin më të lartë që qytetarët mos të kenë mëdyshje në përzgjedhjen e tyre”, ka deklaruar Shala.

Më tej ai shtoi se kjo taksë nuk është kudnër qytetarëve dhe kërkoi që të blejnë edhe produkte të vendeve të tjera në vend se t’i zgjedhin ato të Serbisë dhe Bosnjës.

“Produktet tona as nuk mund të hyjnë në Serbi, ata nuk i njohin as analizat e produkteve kosovare, çështja e transitit mbetet problem për eksportuesit kosovarë. Kompanitë e Kosovës nuk mund të konkurrojnë për të përfituar oferta publike në Kosovë, ndërsa kam informacione që mbi 100 kompani serbe kanë përfituar oferta publike në Kosovë. Shpresoj në bashkëpunimin tuaj për ta fuqizuar Kosovën, prodhuesin dhe tregun tonë”, është shprehur ministri Shala.

Ai ka thënë se besoj që Qeveria do të vazhdojë ta mbajë këtë masë për shkak se Serbia, Bosnja e edhe vendet e tjera duhet ta trajtojnë Kosovën si shtet e jo në çdo hap të tentohet të dëmtohet shtetësia e saj.

Ministri Shala është pyetur edhe për ngritjen e çmimit të grurit dhe të bukës. Por Shala mohoi se çmimi i grurit është rritur pas vendosjes së taksës prej 10 për qind ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnjës duke shtuar se çmimi i grurit ka filluar të ngritet më herët se sa vendosja e taksës.

“Me sa kam informacione rritja e çmimit të gruri ka filluar edhe para se të ndërmerret masa, njëkohësisht kam autorizuar kryeinspektorin që nga nesër Inspektorati i Tregut dhe inspektoratet e të gjitha komunave të monitorojnë dhe të evidentojnë çdo rritje të çmimit apo tendim të rritjes që është i paarsyeshëm. Kërkoj nga Autoriteti i Konkurrencës të kontrollojnë, se kam informacione se rritja e çmimit të bukës në dy komuna të Kosovës është bërë marrëveshje mes kompanive”, ka përfunduar Shala.

https://kallxo.com/qeveria-rrit-taksen-ndaj-produkteve-serbe/